Ish-shefi i Interpol-it, Meng Hongwei, është dënuar me 13 vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë kineze pasi u shpall fajtor për marrje të ryshfetit.
Autoritetet kineze thanë se ai është arrestuar më herët si pjesë e fushatës së presidentit Xi Jinping kundër korrupsionit.
Shefi i parë kinez i organizatës kryesore policore në botë ka pranuar se i ka marrë dy milionë dollarë ryshfet.
Përpos dënimit me burgim të gjatë, ai u detyrua të paguajë një gjobë prej dy milionë juanëve kinezë, të cilët e kanë vlerën e 290 mijë dollarëve amerikanë.
Meng ishte zhdukur në shtator të vitit 2018 përderisa ishte në një vizitë në Francë, ku e ka selinë qendrore Interpol-i.
Ai kishte mandat për shef të Interpol-it deri në vitin 2020, por kjo organizatë kishte njoftuar se kinezi ka dhënë dorëheqje disa ditë pasi bashkëshortja e kishte raportuar si të zhdukur.
Partia Komuniste e Kinës më parë e ka akuzuar Meng-un për keqpërdorim të pozitës zyrtare për përfitime personale, keqpërdorim të fondeve shtetërore dhe shkelje të parimeve të partisë, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.