Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, Sabri Kiçmari, tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është e sigurt, por që procesi i integrimit në këtë institucion është i komplikuar dhe afatgjatë.
Kiçmari tha se Qeveria e re duhet të fokusohet në inicimin e pranimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke e përmendur veçanërisht Organizatën Botërore të Shëndetësisë, pasi për t’u pranuar në këtë organizatë kërkohet aprovimi i një shumice të thjeshtë.
“Sa i përket procesit të integrimit të Kosovës në kuadër të BE-së është proces më afatgjatë e më i komplikuar, kërkohet sigurisht një numër i madh i reformave që duhet të ndodhin duke filluar nga zhvillimi ekonomik, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra janë një numër i madh i çështjeve që mbeten për t’u rregulluar, para se Kosova të pranohet në BE, sepse ky pranim nuk është mujor, është vjetor, pra do të ndodhë pas shumë viteve. Por ajo që është me rëndësi është se rruga e Kosovës drejt BE-së është e sigurt”, tha Kiçmari për Ekonomiaonline.
Sipas tij, ka një dakordim të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, më 4 shtator të vitit të kaluar për moratoriumin një vjeçar.
“Besoj që shumë shpejtë mund të iniciohet pranimi në disa organizata ndërkombëtare, psh në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, parakushtet e Kosovës janë të plota dhe kërkohet vetëm shumica e thjeshtë të cilën e kemi dhe realisht gjëja e parë që do duhej të bënte Qeveria e re do ishte inicimi i Kosovës në këtë organizatë”, theksoi ai.