Deputetja e Kuvendit, Doarsa Kica-Xhelili nga lista “Guxo”, ka reaguar pas lajmit se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk kishte nënshkruar marrëveshjen me Pfizer për sigurimin e vaksinave antiCOVID.
Kica-Xhelili tha se dokumentacioni i këtyre marrëveshjeve është konfidencial dhe zbulimi i tyre e rrezikon komplet procesin.
“Gjatë negociimeve të marrëveshjeve të ndryshme, sidomos marrëveshje të këtij niveli, gati gjithmonë periudha e negociimit me të gjitha dokumentacionet dhe modalitetet përkatëse janë konfidenciale. Dhe në fakt, zbulimi i këtyre të dhënave nga cilado palë, qoftë edhe i paqëllimshëm (sepse kryesisht pala zbuluese konsiderohet pala nga cila kanë rrjedh pavarësisht nëse rrjedhja ka qenë me ose pa vetëdije, me ose pa qëllim, dhe me ose pa veprim a mosveprim adekuat të mbrojtjes) e rrezikon komplet procesin”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.
Sipas saj, lidhur me procesin e sigurimit të vaksinave antiCOVID interesi publik është i madh por që duhet të jetë proporcional me pasojat e një zbulimi të tillë.
“Në qoftë se ti publikon marrëveshje/komunikime konfidenciale, duke e rrezikuar besueshmërinë e institucionit te partneri negociues, je në shpërputhje proporcionale sepse dëmi i rrezikimit të humbjes së partnerit me të cilin po negociohet këtu, është skajshmërisht më i madh se përfitimi nga publikimi i një pjese të përmbajtjes. Theksoj – një pjese -, sepse me asgjë nuk u konfirmua faza e negociimit/nënshkrimit”, ka shkruar më tej ajo.
Po ashtu, ajo ka vazhduar me kritika ndaj mediave për shkak se në rastin konkret, i është dhënë ngjyrim tendencioz si dhe rrezikon sigurimin e vaksinave.
“Në linjë të pikës 2 më sipër, në përputhje me Ligjin 02/L-65 Civil Kunder Shpifjes dhe Fyerjes, interesi publik vjen në pah kur përgjatë publikimit, si standard shërben “qëllimi i mirë” i publikuesit (shiko Nenin 7). Komplet formati i shpërndarjes së “lajmit” në rastin konkret, jep ngjyrim tendencioz sepse rrezikon besueshmërinë mbi aftësinë e institucioneve tona para palës tjetër, lidhur me zbatimin e dispozitave të konfidencialitetit të negociimit, e rrjedhimisht rrezikon vet vaksinat”, shtoi Kica-Xhelili.