Në një reagim të ashpër dhe pa dorashka, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka goditur drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë Albin Kurti, vetëm pak orë pasi ky i fundit i ka dërguar ftesë për takim liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Por Kica-Xhelili nuk e ka kursyer ironinë: ajo thotë se Kurti ka kaluar katër vite duke shkatërruar çdo urë bashkëpunimi politik ndërshqiptar dhe sot, kur është i izoluar brenda dhe jashtë, përpiqet të luajë rolin e bashkuesit.
“VV nuk mbijeton pa armiq – Kurti për katër vite nuk pranoi asnjë shqiptar opozitar”, shkruan ajo.
Sipas Kica-Xhelilit, Vetëvendosje është ndërtuar mbi ndasi dhe konflikt, dhe çdo përpjekje për bashkëpunim nga Kurti sot, është thjesht një përpjekje për të fshehur dështimet dhe izolimin e vet politik.
“Qeveria jetëshkurtër që ai po synon, është reduktuar në biseda pazaresh. Kosova nuk ka parë ndonjëherë diskurs më përçarës se i këtij kryeministri.”
Deputetja kritikon edhe diskursin e VV-së, duke e cilësuar si të bazuar vetëm në shpifje, akuza dhe prodhim të armiqve imagjinarë: herë KQZ, herë PZAP, e herë liderët shqiptarë opozitarë – gjithmonë dikush tjetër fajtor, por kurrë pushteti që e udhëheq vetë.
“Kush i përçan shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë – as në paqe, e as në krizë”, përfundon reagimin Kica-Xhelili.