Ish-komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn reagoi shumë shpejt në Twitter pas tërmetit të fuqishëm të regjistruar në Shqipëri.
Eurodeputeti u shpreh i shqetësuar per serinë e lëkundjeve të fuqishme që tronditën vendin tonë, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme serioze për infrastrukturën.
I shpejtë qe dhe reagimi mbështetës i Prishtinës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur keqardhje për tërmetet që ndodhi sot në Shqipëri.
Thaçi në biseda telefonike, Edi Ramës dhe Ilir Metës, i ka shprehur solidaritet dhe i’u ka ofruar ndihmë duke kërkuar kështu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Ramës, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie.
Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova bashkë-ndjenë me të gjithë qytetarët e saj dhe me qytetarët e Shqipërisë që sot u tronditën dhe e pësuan nga tërmeti që goditi Tiranën, Durrësin dhe një pjesë të Kosovës.
Edhe shtetet fqinjë si Italia dhe Greqia u shprehën të gatshme t`i vijnë në ndihmë Shqipërisë në këtë moment të vështirë.
Rama tha se ka marrë një telefonatë nga Kryeministri italian Giuseppe Conte, “i cili ofron mbështetjen e Italisë për të përballuar pasojat e tërmetit”.
Mësohet se krerët e dy bashkive në rajonin Marche kanë kontaktuar me specialistë të emergjencave civile të Bashkisë së Tiranës, duke ofruar ndihmën e tyre për të gjithë personat që u prekën nga lëkundjet e dhunshme.
Ministria e Jashtme greke po përmes Twitterit përcolli mbështetjen dhe solidaritetin e saj me popullin shqiptar, ndërsa burime diplomatike flasin për gatishmërinë e palës greke për të ndihmuar autoritetet shqiptare në përballimin e pasojave. /TCH/