Një deklaratë e kryesuesit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexhës, se toka e shtetit është dhënë pothuajse falas, ka ngjallur reagime të shumta. Sipas Rexhës, pesë mijë ari tokë të pronës shoqërore janë shitur vetëm nga një euro ari në Agjencinë Kosovare e Privatizimit.
Rexha që ka qenë kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka thënë se edhe arsyeja e dorëheqjes nga kjo pozitë ka qenë privatizimi me çmim mjaft të ulët i këtyre tokave.
“Pesë mijë ari tokë janë shitur nga një euro ari. E kam kundërshtuar këtë proces të privatizimit me këtë çmim mjaft të ulët. Ndërsa, në bord anëtarët me thoshin, ‘po të dhimbset toka e Kosovës?’. Andaj, kjo ka qenë një ndër arsyet e dorëheqjes”, ka deklaruar Rexha.
Por, kush janë personat që blen toka nga privatizimi me këto çmime kaq të ulëta?
Bazuar në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, një prej zyrtarëve që ka blerë toka në privatizim me këto çmime është edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, shkruan Express.
Haradinaj ka deklaruar pasuri të paluajtshme tokë kodrinore prej 200 hektarësh të blerë në privatizim në vitin 2009 në vlerë 75 mijë euro, e që i bie 3 euro e 75 cent arin.
Haradinaj deklarimin e pasurisë e ka bërë në kohën sa ishte kryeministër i Kosovës, ndërkaq për tokën e blerë me privatizim e ka deklaruar në pronësi të përbashkët.
Në pasuritë tjera të paluajtshme të kreut të AAK’së figurojnë edhe tokë-truall 21.50 ari, shtëpi banimi 950 metra katrorë, shtëpi familjare 800 metra katrorë, si dhe banesë 213 metra katrorë.
Haradinaj kishte thënë në mars të vitit 2016 se tokën prej 200 hektarësh e kishin riblerë.
“E kemi riblerë tokën tonë. Toka e riblerë në procesin e privatizimit, është një pronë e banorëve të Gllogjanit, tokë kodrinore, e nacionalizuar ose e marrë pa kurrfarë kompensimi nga shteti serb. Në fakt nuk janë 1 mijë hektarë, por janë 200 hektarë të cilën e kemi blerë me të gjitha procedurat dhe normat e privatizimit.Sigurisht se i vetmi epilog për një pronë të marrur, mund tëjetë rikthimi i saj, anise duke e blerë për të dytën herë.
Ndërkaq nxjerrjen e këtyre informacioneve të sajuara ose gjysmë të vërteta, e konsiderojmë si presion për të hequr dorë nga mbrojtja e disa pronave shumë më të mëdha, siç janë 12 mijë hektarë në kufirin me Malin e zi, presion për ta lejuar Isa Mustafën e Hashim Thaçin, që për interesin e tyre dhe nën firmën e Asociacionit ta krijojnë edhe një komunë me shumicë serbe në Prilluzhë, në mënyrë që Serbinë t’na e bëjë hisedar në basenin e qymyrit, apo edhe koncesione të tjera në dëm të Kosovës.Por të gjitha këto përpjekje janë të mjera përballë vetëdijes qytetare, se populli i Kosovës është sovrani dhe ai, e jo individët, vendosë për pronat dhe për shtetin e Kosovës”, kishte shkruar Haradinaj në Facebook.
Përveç, Ramush Haradinajt, edhe një komandant tjetër i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka blerë tokë të shtetit nga Agjencia e Kosovës për Privatizim.
Bëhet fjalë për kushëririn e Ramushit, Nasim Haradinajn, i cili në deklarimin e pasurisë së tij tregon se vitin 2004 ka blerë 220 hektarë tokë nga privatizimi.
Këta hektarë tokë, Haradinaj i ka deklaruar tek pjesa e pasurisë së paluajtshme me vlerë prej 3 milionë e 300 mijë euro, raporton Gazeta Express.
Megjithatë kjo nuk dihet nëse është vlera me të cilën Haradinaj ka blerë tokën e shtetit, apo shuma që Nasim Haradinaj tashmë vlerëson pronën e blerë në vitin 2004.
Me vlerën e deklaruar nga Nasim Haradinaj, i bie që një ari tokë të kushtojë vetëm 150 euro.