Artan Behrami, këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi, ka shkruar sot për paralajmërimet e bëra nga Lëvizja Vetëvendosje për protesta. Sipas tij, tashmë Kurti pasi ka humbur të gjitha betejat dëshiron t’i rikthehet dhunës dhe përmbysjes.
Behrami thotë se kanë larguar edhe rrethojat e institucioneve në planifikim e sipër për sistemimin e dhunës.
“Pasi i humbi të gjitha betejat, kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, dëshiron t’i rikthehet rrugës, dhunës dhe përmbysjes!Gjuha urrejtëse dhe kërcënuese e udhëhequr nga Kurti dhe e shpërndarë nga myhibët dhe cyberxhemati tashmë duhet të marrë formë!Edhe rrethojat i kanë larguar për të zënë vend dhuna e paramenduar, planifikuar dhe e nxitur prej tyre”, ka shkruar Behrami.
Sipas tij, Kurti ka dy plane. Që të mbajë pushtetin me dhunë ose të parandalojë ndërrimin e pushtetit.
“Plani A është që të mbajë pushtetin me dhunë, derisa plani B të parandalojë dhunshëm rotacionin legjitim të pushtetit!”, ka shtuar tutje ai.
Ai thotë se një plan të tillë Vetëvendosje planifikon ta nisë me Rron Gjinovcin dhe ta përfundojë me Albin Kurtin si shpëtimtar i Kosovës nga SHBA’ja
“Jetësimi i planit duhet të fillojë si një dëshirë e brendshme nga “populli”, në emër të të cilit, Kurti mund të riaktivizojë çdo veprim sot dhe çdo akt të dhunës nesër!Revolucionin si “ide” dëshiron ta nisë me Rronin, që ka rrobaqepësin e njëjtë me shokët e tjerë në Vetëvendosje dhe ta përfundojë me “babën” si hero që shpëtojë Kosovën nga thikat e imperializmit amerikan!”, ka përfunduar Behrami.
Paralajmërimet për protesta ishin zyrtarizuar ditën kur Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendimin për pezullimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për Avdullah Hoti. Sekretarja Organizative e VV’së, Vlora Haxhimemedi, kishte reaguar duke thënë se një vendim i tillë ka shtyrë protestën e shumëkërkuar, megjithatë ka thënë se përgatitjet do të vazhdojnë.
“Masa e shtyn protestën.Të dashur anëtarë të Lëvizjes,Tash e disa javë është bërë presion i madh nga aktivistë e qytetarë për të dalë në protesta.
Kjo u shtua sidomos dje pas paralajmërimit për seancë të jashtëzakonshme për të shtunën me 2 maj.
Mirëpo, masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese sot, sigurisht se e shtynë protestën. Ndërkohë, puna e përditshme dhe përgatitjet tona vazhdojnë”, ka shkruar më 1 maj Haxhimemedi.
Organizim të protestave në mbështetje të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme është vënë edhe Rron Gjinovci, themelues i ORCA-s. Megjithatë, Gjinovci pretendon se organizimi i tij s’është përkrahje për Vetëvendosjen.