Analisti politik Nexhmedin Spahiu po e konsideron si skandaloze dhënien e lajmit që kinse Xhamajka njohu Kosovën nga institucionet më të larta të shtetit.Ai gjithashtu paralajmëroi pasoja në diplomacinë kosovare për shkak se Kosova po tregohet joserioze në sferën e politikës së jashtme.
“Kur bëhet një joseriozitet i tillë në kulm të piramidës shtetërore, paramendoni se çfarë bëhet nëpër institucione tjera. E gjithë kjo lojë është bërë për ta diskretituar qeverinë e re që të tregojnë jopërvojën e saj”, ka thënë Spahiu.
“Është dashur që të bëhen hetime për këtë njoftim. Nëse vërtet Vlora Çitaku ka shkruar në e-mail që të mos bëhet publike sepse ende nuk ka ardhur zyrtarisht, atëherë ajo nuk mban përgjegjësi për këtë”.
Sipas tij, ministri i Jashtëm nuk është dashur të bie pre e kësaj, por është dashur të thotë se nuk kemi konfirmim dhe nuk kemi informatat zyrtare. “Presidenti është mësuar me këso skandale, por edhe qeveria e re po tregon se është njësoj si të tjera, shtet hajgare”, ka theksuar Spahiu.Ai ka thënë se kjo ngjarje e ka dëmtuar fort Kosovën në marrjen e njohjeve të reja.
“Problemi do të jetë te njohjet sepse të tjerët të njohin nëse je serioz. Kur lindin kombet e reja kombet ekzistuese e japin një mendim të tyre se nëse është ngjizur një komb apo jo. Disa kombe të botës na kanë njohur sepse këtu ka lindur një komb i ri. Bushi ka thënë se kemi vendosur ta njohim një komb sovran. Secili e ka mendimin e vet, përfshirë këtu edhe Xhamajkën”, është shprehur Spahiu.
“Nëse të njohin shumica e kombeve ata pak që nuk të njohin bëhen më pak të rëndësishëm, por edhe mund t’i bashkohet mendimin të shumicës. Por, kur këta që na kanë njohur dhe e tërheqin atëherë krijohen dyshime. Ekziston një rrezik që Kosovën ta njohin kombet e botës”.
Spahiu u tregua i rreptë ndaj zyrtarëve që duhet dhënë përgjegjësi për, siç e quajti ai, skandalin me Xhamajkën.
“Janë tre njerëz përgjegjës: Presidenti, Ministri i Jashtëm dhe Ambasadorja Vlora Çitaku. Nëse kjo e fundit ka thënë që të mos publikohet atëherë nuk është përgjegjësia e saj. Por, përgjegjësia e MPJD-së dhe e Presidencës absolutisht nuk duhet anashkaluar. Ose Glauk Konjufca të japë dorëheqje, ose kryeministri duhet ta shkarkojë atë. Nëse unë e kisha bërë një gabim të tillë do të jepja dorëheqje”.Megjithatë, Spahiu tha se fillimi i Qeverisë Kurti është i mirë, por rastin me Xhamajkën e quajti si një skandal të madh.“E kam thënë disa herë edhe para formimit të Qeverisë se pika më e dobët e Kurtit ka me qenë politika e jashtme. Glauku dhe diplomacia janë larg. Kurti e emëroi në këtë pozitë sepse ishte i detyruar pas dorëheqjen nga Kuvendi”.