Ka dështuar të mbahet interpelanca e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, pasi që ky i fundit nuk mori pjesë fare në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Deputetët kanë bërë një aksion simbolik, duke vendosur një poster në karrigen e Veliut ku shkruan ‘KËRKOHET’, shkruan Reporteri.net.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka publikuar disa fotografi në rrjetin social Facebook, ku ka ironizuar me ministrin Veliu, duke lutur qytetarët që nëse e takojnë këtë person, t’i tregojnë se e ka obligim ligjor të vijë të raportojë në Kuvend.
“Kërkohet Ministëri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Agim Veliu! Lusim qytetarët që nëse e takojnë këtë përson ti tregojnë se e ka obligim ligjor të vij të raportoj në Kuvend.”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Kjo vjen si shenjë pakënaqësie për mosparaqitjen e ministrit para deputetëve lidhur me shmangien për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Deputetja Fatmire Kollqaku pohoi se Veliu disa herë ka refuzuar pjesëmarrjen në komision, teksa sipas saj që nga fillimi i mandatit të tij ai është paraqitur për raportim vetëm njëherë.
“Ne jemi ballafaquar me një problem që nga fillimi i këtij mandati dhe nuk kemi arritur që asnjëherë ta kemi z.Veliu në raportim në Komision. Çdo pyetje e jona ka mbetur pa përgjigje, pas 4-5 tentativave, erdh në komision dhe tha se ka kohë vetëm 40 minuta. Pas një kohe e ri përsëritëm kërkesën që të vjen të raporton dhe sërish patëm injorancë totale nga ministri”, tha ajo.
Me këtë rast Kollqaku theksoi që Kuvendi kërkon nga Ministria që udhëheq Veliu, që brenda 2 javëve të dorëzoj në Kuvend raportin e gjithë punës së Veliut përgjatë mandatit të tij.