Një shtetas shqiptar dhe një italian kanë rënë në prangat e policisë pasi akuzohen për zjarrëvënie të qëllimshme në Troina të Siçilisë.
Mediat italiane bëjnë me dije se janë arrestuar në flagrancë 25-vjeçari shqiptar dhe një 80-vjeçar italian, të dy fermerë të zonës.
Ata akuzohen se kanë ndezur disa vatra zjarri rreth zonës aty pranë.
Veprimi i tyre u ndërpre nga Karabinierët, të cilët patrulluan zonën që bashkon krahinat e Enna dhe Messina.
Shqiptari pasi pa praninë e policëve u përpoq të arratisej, mirëpo menjëherë u kap nga Policia.
Nga kërkimi i mëvonshëm disa mjete u gjetën në vendin e ngjarjes, të përbëra nga bombola të vogla që përmbanin karburant dhe ndezës të ndryshëm.
Zjarret e përhapura në të gjithë rajonin e Sicilisë rrezikojnë disa banesa në qytetin e Catanias, ku dhjetëra banorë janë evakuuar dhe aeroporti ka mbyllur fluturimet.
Deri më tani, fatmirësisht nuk raportohet për viktima apo të lënduar por vetëm për dëme materiale.