Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, sot ka deklaruar se kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmanit, po merr pagë të 13-të për vete, ndërkaq nuk po interesohet për qytetarët, mjekët, policët e të tjerët. për këtë, Haxhiut i ka reaguar këshilltari i Osmanit, Artan Murati, i cili ka deklaruar se deputeti po flet të pavërteta në Kuvend.
Sipas Muratit, Administrata e Kuvendit ka parashtruar kërkesë për shtesë në pagën bazë, për shkak të orëve shtesë, dhe jo pagë të 13-të.
“Bekim Haxhiu po flet te paverteta ne foltore te Kuvendit. Nuk ka page te 13. Administrata e Kuvendit ka parashtruar kerkese per nje shtese ne pagën baze, duke u thirrur ne orët e tejzgjatura të punes. Pra, kerkesa per shtese nga Administrata është deponuar për punonjësit e administratës, jo për deputetet”, ka shkruar Murati.
Murati tutje thotë se Kuvendi e ka dnarë një shtesë të tillë tash e 10 vite.
“Nje rikujtim per z. Haxhiu (dhe te tjeret): Kuvendi tash e 10 vite e ndanë një shtesë të tillë. Të paktën në katër legjislaturat e kaluara, Kuvendi është udhëhequr nga bashkëpartiakë të z.Haxhiu. Interesant, kjo punë nuk është diskutuar nga askush”, ka thënë Murati.
Ai deklaron se Osmani, si kryetare e Kuvendit, nuk e ka votuar këtë propozim.
“Për më tepër, Kryetarja e Kuvendit NUK E KA VOTUAR një propozim të tillë. Ai vendim është marrë nga Kryesia e Kuvendit, me shumicë votash. E ky Kuvend, sivjet i ka kthyer Qeverise mbi 1.5 milion euro, nga kursime”, ka shkruar Murati.
Këto deklarata të Muratit vijnë pasi deputeti Bekim Haxhiu sot në Kuvend tha se kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, të cilën e ka quajtur “sherife”, po merr pagë të 13-të për vete dhe nuk po mendon për qytetarët, mjekët, policët e të tjerët.
“Sot, kur jemi këtu, where is new sherif in town? Ku është? Me dy pozita, me rrogën e 13-të për veti? Po për qytetarët, pse nuk parashohin rrogën e 13-të, pse kjo sherifja e re nuk parasheh një rrogë të 13-të për mjekët dhe për policinë, ushtrinë, inspektorët, punëtorët shëndetësorë, stafin mbështetës, punëtorët e sigurimit, edhe për ata të pastrimit? Por mendoi për vete, ky është modeli i qeverisjes së shpresës që vodhi gjatë pandemisë”, ka thënë Haxhiu.