Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden, është në rrugë të mirë për të shënuar një fitore të madhe dhe të rëndësishme në kuadër të garës brenda Partisë Demokratike për të qenë kandidat i ardhshëm për president të Shteteve të Bashkuara.
Pavarësisht epërsisë dhe fitores së mundshme të Biden-it në Karolinën Jugore, kandidati tjetër, Bernie Sanders, pritet të mbetet në pozitën e parë sa i përket rezultatit të përgjithshëm deri më tash.
Rezultati pozitiv për ish-zyrtarin e lartë të Shtëpisë së Bardhë erdhi vetëm pak ditë para të ashtuquajturës “Super e Marta”, kur javën e ardhshme votohet në 14 shtete, shkruan “BBC”.
Në fund të kësaj dite pritet që gara të bëhet shumë më e qartë dhe përafërsisht të dihet se kush do të jetë i nominuari i Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të këtij viti, të cilat do të mbahen në nëntor.
Kjo është fitorja e parë e Biden-it në garën partiake, ndërsa ai po garon për herë të tretë për president të Shteteve të Bashkuara. Në një fjalim, ai tha: “Vetëm disa ditë më parë, mediet dhe ekspertët e kishin shpallur këtë kandidaturë të vdekur. Tani, duke ju falënderuar të gjithë juve – zemrës së Partisë Demokratike – ne sapo fituam dhe kemi shënuar fitore të madhe.”
Pas numërimit të pothuajse të gjitha votave, kandidati Joe Biden i mori 48.4 për qind të tyre, ndërsa në vendin e dytë ishte Bernie Sanders me 19.9 për qind. I treti doli miliarderi Tom Steyer me vetëm 11.3 për qind të votave.