Qeveria e Kosovës nga sot do të ketë dy zëdhënës. Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar Rozafa Kelmendin zëdhënëse të Qeverisë.
Rozafa Kelmendi ka përvojë nëntëvjeçare si gazetare me mediat vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2011 ka punuar në projekte të Fondit Global, UNDP-së dhe UN Women.
Vitin e kaluar ka punuar si Analiste e Politikave të Drejtësisë Tranzicionale në UN Women, New York, ku mes tjerash ka koordinuar punën globale për drejtësi tranzicionale të kësaj agjencie.
Është autore e disa publikimeve për personat e pagjetur dhe të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ka studiuar për Menaxhment dhe Informatikë, si dhe Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës.