Sejdi Demaku nga fshati Shtrubullovë e Drenasit ka thënë në emisionin #gjesi në T7 se si pasojë e reshjeve të shiut komplet kati i parë i shtëpisë iu është mbushur me ujë, raporton Gazeta Express.
Ai ka thënë se janë 15 familje në këtë lagje që janë bllokuar.
Demaku ka kërkuar ndihmën e autoriteteve sepse shton se janë pa ushqim e pa ujë.
“Familja jemi transferu në katin e dytë, jemi pa ushqime pa ujë, absolutisht asgjë nuk është ka funksionon. Prej orës 2-3 të mëngjesit e kemi pa që na ka hy uji brenda”, thotë ai.
Demaku shton se kanë kontaktuar vetëm me zjarrfikësit.
“Vetëm zjarrëfikësit, të tjerët nuk po mundemi me i marrë në telefon”, thotë ai.
Ai ka pasur edhe një thirrje për ndihmë.
“Nëse ka mundësi përmes televizionit, të transmetoni ndoshta na dëgjojnë edhe autoritetet komunale jemi në gjendje tepër të rëndë, nuk po mundemi as me u furnizu, nuk e dimë deri ku do të mbërrin uji. Katin e parë komplet e ka marrë. Të gjitha paisjet e kuzhinës, komplet kati i parë ka shku dëm. Na mungon uji edhe ushqimi, rrezikohemi ndoshta edhe kati i dytë”, ka shtuar ai.