Një burrë japonez është arrestuar, pasi besohet se mori peng një mjek dhe e qëlloi me armë, tha policia japoneze të premten. Mediet lokale raportuan se viktima ka vdekur nga plagët pas përballjes 11-orëshe mes sulmuesit dhe forcave të sigurisë.
Krimet me armë janë të rralla në Japoni, ku mbajtja e tyre kontrollohet në mënyrë të rreptë. Banorët ishin të tmerruar nga sulmi në Fujimino, qytet afër kryeqytetit Tokio, shkruan AFP, përcjell Gazeta Express.
“Burri përdori një armë gjahu për të shtënë në drejtim të viktimës me qëllim të vrasjes”, i tha agjencisë “AFP” një zëdhënës i policisë lokale.
Ai tha se i dyshuari 66-vjeçar është arrestuar pas këtij rasti, që u zhvillua të enjten në mbrëmje në shtëpinë e tij. Raportohet se i moshuari ka qëlluar me armë edhe një fizioterapeut, i cili është lënduar rëndë.
Mjeku, fizioterapeuti dhe një person tjetër ishin për vizitë ngushëlluese në shtëpinë e të dyshuarit pas vdekjes së nënës së tij, thuhet në raportimet e medieve japoneze.
Transmetuesi publik japonez, NHK, tha se i dyshuari ishte vendosur për të banuar në atë zonë para rreth tri viteve dhe se kujdesej vetë për nënë e plogësht.
“Ai thoshte se ishte vështirë për të që të bashkohej (në aktivitetet vullnetare në lagje), pasi nëna e tij është e sëmurë”, i tha televizionit NHK një banor i zonës, duke iu referuar të dyshuarit.