Shkruan Xhafer Shatri
Si sot 38 vjet më parë, në kazermën ushtarake, në Sarajevë, ditën që e përfundoi shërbimin ushtarak, Haki Shatri, pasi ishte i veshur në tesha civile dhe kishte dalë nga kazerma, pa shkuar te Stacioni i autobusit, u arrestua nga pjesëtarët e KOG-ut (Kontraobaveshtajna Grupa – Grupi i kundërzbulimit) dhe, më vonë, u ekzekutua në Qendrën e rekrutimit.
Kjo vrasje, si shumë të tjera, para dhe pas saj, ishte kryer në kuadër të Aksionit Operativ të koduar «Horizont», i planifikuar me hollësi nga Shtatmadhoria e Ushtrisë Jugosllave që kishte synim shtypjen e shqiptarëve dhe acarimin e gjendjes ne Kosove.
Gjatë këtij Operacioni, elita ushtarake serbe, vetëm në vitet tetëdhjetë, mbyti mizorisht mbi 100 ushtarë shqiptarë.
Dy vrasjet më të zëshme të këtij Operacioni ishin vrasja e Haki Shatrit dhe inskenimi i Masakrës së Paraçinit. Gjeneralët serbë këtë masakër, djallëzisht, ia mveshën Aziz Kelmendit, të cilin KOG-u e kishte ekzekutuar para se të vriteshin ushtarët në gjumë.
Këto dy raste janë zbardhur në një masë të mirë përmes librit «Një gur për varrin e ushtarit që e vranë»*, por ka shumë raste të tjera po aq tragjike që nuk janë zbadhur, e që, në pikëpamjen time, shqiptarët nuk guxojnë t’i harrojnë e aq më pak ta lënë pa e hulumtuar çdo rast deri në fund.
.
1.
SINOPSIS PËR NJË KRIM TË PARALAJMËRUAR
«Të dielën, më 2 shkurt 1986, rreth orës 4:30 të mëngjesit, kur ne të gjithë ishim në gjumë të thellë, është dëgjuar jehona e alarmit dhe, pa vonesë, na është urdhëruar që të vishemi dhe të dalim shpejt në oborr. Kur dolëm e u rreshtuam, eprori ynë, Zdravko Perliq, na tha se ushtari Haki Shatri është gjetur i varur në Qendrën e rekrutimit.
Pas komunikimit të këtij lajmi, eprori, Zdravko Perliq, na ka pyetur në mënyrë të prerë se mos e ka parë dikush Hakiun, ashtu të varur, mirëpo, përveç një mërmëritje mohuese, askush nuk e ka hapur gojën.
«Më vonë, rreth orës 11:00, pas rreshtimit në oborrin e repartit, na është lexuar raporti ditor i togut, me ç’rast eprori ynë, i lexoi ato që kishte thënë disa orë më parë, duke shtuar se: «Ju e dini që ushtari Haki Shatri nuk ka qenë mirë me shëndet, sepse i ka pasur disa probleme personale. «
Atë ditë e tutje, përveç në raste shumë të rralla, ne, ushtarët e këtij togu, nuk kemi guxuar ta përmendim rastin e vdekjes së Hakiut. Çdonjëri prej nesh është frikuar jo vetëm prej të tjerëve, por edhe prej vetvetës.“ (Dëshmi e Reshat Tërziut)
2.
PËRHAPJA E SHPIFNAJËS
a. Po atë ditë, në kazermën e Brçkos, rreth orës 10-të, merret në bisedën informative të radhës Januz Shatri, kushëri dhe shok i shpirtit i Hakiut:
«…Kësaj radhe në zyrë po mungonte xhelati im, Shemsedin Hajdari, kapiten gjakpirës i KOS-it, sepse aty kishte qenë vetëm kolegu i tij, “Mile”. Ky më pyeti menjëherë se kush nga kushërinjtë e mi ndodhej në ushtri dhe ku… i thashë për Hakiun dhe për një kushëri tjetër. Filloi të më pyes në detaje për Hakiun… Në një moment më pyeti se a mos ka pasur Hakiu probleme psikike! Kjo më shqetësoi pa masë. »
b.“Kur e kanë mbytur Hakiun, isha ushtar në kazermën e Nishit dhe punoja në Laboratorin e kazermës. Diku rreth orës dhjetë më thirrën të lajmërohesha në zyrën e oficerit. Aty kishte qenë një major i KOS-it, i cili, posa hyra, me një ton gazmor më tha: ‘Haki Shatrin e kemi ekzekutuar!’
Fillimisht mendova se mos është ndonjë provokim. Nuk fola fare. Ndërkaq pasi hetoi reagimin tim, duke qeshur më tha: ‘Jo, nuk e kemi ekzekutuar ne, por një grua që ishte dashnorja e tij. E ka vrarë, sepse, pasi e kishte shfrytëzuar, Hakiu nuk kishte pranuar ta merrte për grua…“ (Fazli Ferati, shok i ngushtë i Hakiut)
c. “Punoja si laborant në spitalin e Sjenicës, në Sanxhak. Atë ditë që e kanë vrarë Hakiun, më 2 shkurt 1986, diku rreth orës 10:30, kanë ardhur 2 persona civilë dhe më kanë kërkuar në punë. Nuk më thanë saktësisht se a janë të UDB-së apo të KOS-it. Më kanë nxjerrë në oborrin e spitalit.
Fillimisht më pyetën për një bashkëvendës timin, që ishte arrestuar disa muaj më parë.
Menjëherë pastaj: ‘Çka e ke Haki Shatrin?’ U tregova.
‘Hakiu ka bërë vetëvrasje’, më thanë. Dhe kërkuan nga unë që të shkoja në Tomoc dhe t’ia jepja familjes lajmin e kobshëm.’
«Jo, u thashë, ai, siç po thuani ju, paskësh vdekur në kazermë. U takon autoriteteve ushtarake që ta bëjnë këtë.»
Më thanë se ishin të gatshëm të më dërgonin me veturë deri në shtëpi, në Tomoc. Takimi zgjati 10 minuta dhe u ndava prej tyre.
Shkova në banesë, i tregova gruas dhe u nisa me një mik boshnjak për në Tomoc.“ (Rasim Shatri, familjar dhe shok i ngushtë i Hakiut)
ç. “Kam qenë në Ambulancën e Rakoshit, të cilën e mbulonte Shtëpia e Shëndetit në Istog, ku unë edhe atëherë punoja si mjek. Ka qenë mbrëmje. Papritur, në ambulancë hyri shoferi i Komitetit të komunistëve të Istogut, dhe më tha: ‘Eja se po të thërrasin në Komitet!’
“Shkova. Aty kishte qenë kryetari i Komitetit, kryetari i Komunës, shefi i Mbrojtjes Popullore, pastaj 2 zyrtarë të Komitetit etj… Ata më thanë se dhëndëri i vëllait tim, Haki Shatri, me të cilin kisha punuar shumë vjet bashkë, e i cili ishte në shërbimin ushtarak, paskësh bërë vetëvrasje.”
“U stepa.”
«Ata më thanë se ju e keni dhëndër, prandaj duhet të shkoni dhe t’ua jepni lajmin… Shkova e mora vëllanë tim Rexhën dhe djalin e tij Beqirin dhe shkuam. Me ne erdhi edhe Beqir Avdijaj, zyrtar i Mbrojtjes Popullor në Istog.“ (Dr Sadik Bujupi)
d. «Më 2 shkurt 1986, në mbrëmje kishim mysafirë. Kishin ardhur dy palë miq të familjes si dhe të gjithë kushërinjtë e Lagjes.
Diku rreth orës 22, ka thirrur dikush te dyert e oborrit. Doli Malushi. Në derë ishin Rexhë, Sadik dhe Beqir Bujupi, me ta ishte një përgjegjës i Mbrojtjes Popullore në Istog, njëfarë Beqir Avdijaj. Posa i ka takuar Malushi, është kthyer në odë dhe ka thirrur axhën, Januzin. Të porsardhurit kërkuan që të shkonim në një dhomë tjetër, sepse kishin diçka të rëndë për të na thënë.
Për të mos i shqetësuar edhe mysafirët, ata shkuan në shtëpinë e Bacit Nuz dhe aty ua kanë dhënë lajmin e tmerrshëm.
Ishte një telegram i Komandës së Sarajevës, i shkruar serbisht:
“HAKI ŠATRI, U STANJU PSIHIČKE RASTROJENOSTI, IZVRŠIO JE SAMOUBISTVO! (Haki Shatri, në gjendje të çrregullimit psikik, ka bërë vetëvrasje!).
«Kjo është e pamundur,» u tha, Baci Januz. Dhe ju drejtua zyrtarit komunal: «Ti e di këtë shumë mirë. Ku ke ndëgju’ ti se një ushtar vret vetën pse e ka kryer ushtrinë?!»
«Ky i fundit mëzi belbëzoi: Do të dëshiroja ta dij se a doni ta bëni varrim me rite fetare, apo me nderime ushtarake. Askush nuk i dha përgjigje. (Xhemajl Shatri, familjar)
3.
KURTHIMI I VIKTIMËS
a. Më 25 dhjetor 1985, Hakiu erdhi papritur dhe pa paralajmëruar në shtëpi. Ishte lodhur e këputur. Ishte bërë asht e lëkurë. Nuk fliste fare. Në kundërshtim të plotë me natyrën e tij gazmore, ishte mbyllur në vetvete si guacë.
«Vetëm 2-3 vetave të familjes na tregoi: ‘Jam shumë i shqetësuar; po më marrin në pyetje natë e ditë. Nuk po më lënë as me hëngër e as me fjetë. Jam në rrezik dhe spo di as çka me ba e as kah me ia mbajt…’
“Më 2 janar, Hakiu shkoi për ta kryer edhe muajin e fundit të shërbimit ushtarak që i kishte mbetur. Krejt familja ishim të brengosur, prandaj e thërrisja për çdo ditë në telefon, ndërsa ai më thoshte: ‘edhe pak dhe e mbarova.’ »
«Mirëpo javën e fundit, askush nuk përgjigjej në telefon.»
« Të hënën, më 3 shkurt 1986, në mëngjes e thirra Hakiun nga posta e Prishtinës. Thirra në numrin e zakonshëm, në zyrën e mjekut, ku ai punonte. Kësaj radhe m’u përgjigj një person i cili më tha: ‘Haki je nestao’ (Hakiu është zhdukur)! U befasova shumë dhe kërkova sqarime, ndërsa personi që flisja me të bërtiti më sa zë që kishte: ‘Haki je umro’ (Hakiu ka vdekur).»
« Nuk mund ta besoja… i tmerruar e lëshova receptorin e telefonit, pa e vënë në vendin e vet.
Dhe me autobusin e parë shkova në shtëpi. Posa hyra në oborr e kuptova saktësisht gjëmën. Shtëpinë tonë e kishte mbuluar zija…“ (Hysniu, vëllai i Hakiut)
b. “E prisja se do të kthehej atë natë, madje edhe kisha përgatitur edhe darkën, që e dija se do t’i pëlqente. Në vend të tij, më erdhi lajmi i zi.“ (Nana e Hakiut, Shaha)
c. “I pata veshur fëmijët mirë dhe prisja se do të na vinte. Na erdhi lajmi i tmerrshëm që na shkatërroi përgjithmonë.“ (Gruaja e Hakiut, Eminja)
ç. “Më e rënda tani ishte se si ta lajmërojmë babanë që ishte në Gjermani. Ia dërguam një telegram duke i thënë se ka vdekur gjyshja… Por kur erdhi koha që të dilnim dhe ta prisnim në Gurrakoc, ai kishte ardhur më herët, kështu që para se të arrinim ne, babai kishte takuar një bashkëfshatar, dhe ai, pa të keq i kishte thënë:
« Rexhep a u mërzite për Hakiun », dhe i kishte shprehur ngushëllime.
‘Kur dolëm ta prisnim e pamë se kishte qenë duke zbritur teposhtë kodrës me baltë. Iu kishte nxirë fytyra.’
‘Kur e takuam na tha: “A e kanë vrarë Hakiun a…?”. U përpoqëm ta ngushëllonim, por gjëma e zezë e kishte vënë përfundi përgjithmonë. ‘
‘Pas 5 muajsh vdiq nga mërzia.’ “ (Hysniu, vellai i Hakiut)
4.
LOJA ME VORRIMIN
“Të nesërmen, më 3 shkurt 1986, me thirrën në Istog, në komunë. Ishte ora 7. Aty kishin qenë kryetari i Komunës, Milosh Hashanin, kryetari i Komitetit, shefi i policisë, dy sigurimsa të Pejës, një kapiten i KOS-it, dy eprorë të lartë ushtarakë dhe komandanti i policisë në Gurrakoc, Veloviqi…’
‘Krejt nja 11-12 veta.’
‘Aty ma shëndoshën kryet dhe ma qitën një kafe. Nuk ua ktheva përgjigjen dhe nuk ua piva kafen… Pa u hapur mirë biseda, u thashë’:
“Në telegramin që kemi marrë nuk thuhet e vërteta. Djalin tonë e keni vrarë. Keni mundur dhe e keni bërë”.
‘E dimë se ke mërzi, por mos u ngut’, më thanë.
«Mërzi e ç’mërzi kjo është kështu …»
‘Ndërhyri njëri prej oficerëve :
«Ne, on je poginuo! « (Jo, ai ka vdekur!)
‘I njëjti vazhdoi’: « Ne duam garanci se nuk do të ketë incidente, sepse duam ta varrosim me nderime ushtarake…, që do të thotë së çeta e ushtarëve do ta nderojë me qitje armësh… «
« Ani se mezi rrija ulur, i thashë se ne, familja nuk kishim asgjë kundër. E bëra me qëllim, sepse propozimi i tij ishte në kundërshtim me atë që thuhej në telegram, pasi që dihet se ushtari që vetëvritet nuk varroset me nderime ushtarake. Ata ma kërkuan dhe një gjë: të mos e hapnim arkivolin. Nuk u thashë asgjë… »
“Të nesërmen, më 4 shkurt, më thirrën sërish në komunë. Kur shkova ishin të gjithë ata që i kisha takuar një ditë më parë. Papritur, Toma Miçunoviqi, naçallniku i UDB-së më tha:
‘Varrimi nuk do të bëhet me nderime ushtarake, sepse nipi juaj, Hakiu ka bërë vetëvrasje!’
‘E prisja këtë, prandaj e pyeta, pa e përfunduar ai fjalinë:’
‘Dje të gjithë ishit këtu dhe thatë dy gjëra; e para se Hakiu ka vdekur dhe e dyta se do ta varrosni me nderime ushtarake. Këto nuk i thashë unë, por i thatë ju, konkretisht oficeri që është këtu’.
‘Nuk e çelën gojën. Pastaj njëri prej ficerëve më tha se posa të arrinte kufoma do të më lajmëronte.’
‘Shkova në shtëpi.
‘Ajo që vërejta ishte se kryetari i Komunës, që ishte serb, u prek shumë. Këtë ndiesi nuk e vërejta te asnjëri prej shqiptarëve të zinj që ishin aty. E nuk ishin pak.“ (Januz Shatri, axha i Hakiut)
4.
ARKIVOLI
« E pritëm kufomën tri ditë. Të katërtën ditë na lajmëruan se duhej të shkonim ta merrnim në Stacionin e Trenit, në Pejë. Kufomën e Hakiut e përcillnin katër ushtarë dhe një oficer i moshuar. Oficeri iu drejtua, Bacit Januz:
« Ju sugjeroj që të mos e hapni arkivolin… »
‘Ndërsa Baci Nuz, iu përgjigj:
« Fillimisht na keni lajmëruar se do ta varrosni me nderime ushtarake, pastaj keni ndërruar mendjen… Ndërkaq tani që po na e dorëzoni kufomën po na vëni edhe kushte.’
‘Tash e tutje është çështje jona se çka do të bëjmë… Por desha ta dij se a duhet t’ua kthejmë arkivolin, sepse ndoshta ju duhet për të tjerët?”
‘Jo, nuk ka nevojë’, tha oficeri.
« Në përcjellje të Hakiut kishte qenë edhe një ushtar shqiptar. Ai m’u afrua dhe më pëshpëriti: ‘Do të vi së shpejti dhe do t’ju rrëfej se çka ka ndodhur me Hakiun’. Por ai nuk erdhi kurrë. Më duket se quhej Zeqirja dhe ishte diku nga Kumanova.“ (Xhemajl dhe Ismet Shatri, familjarë të Hakiut )
“Arkivoli i mbyllur hermetikisht, ku ndodhej trupi i pajetë i Hakiut, sipër kishte një dritare 10×10 cm, ku shihej vetëm fytyra dhe pjesa e sipërme e kraharorit. Në fyt deri mbi mollëz shiheshin gjurmët e penjve, si duket të mbetur pas obduksionit. Hakiun e kishin veshur me tesha ushtarake.’
Baci Ali tha: ‘Kurrë nuk kam parë kufomë kaq të bukur’.»
«Në fillim ishim në dy mendje ; të hapej apo të mos hapej arkivoli. Baci Demë tha : ‘ Jo. Ne e dimë mirë se çka ka ndodhur me të. Nuk kemi nevojë më e pa!’ »
« Në mesin e gjërave të cilat i kishin kthyer kriminelët që ia kishin këputur jetën Hakiut, ishte ora e dorës dhe kostumi me këpucë. Më bëri përshtypje sidomos rripi metalik i orës që ishte i këputur dhe këpucët, nën të cilat shihej se ai kishte fikur me to jo pak cigare. Meqë këpucët ishin të reja, gjurmët ishin krejt të dukshme. Shihej ashiqare se ai i kishte veshur teshat dhe më shkoi mendja se atë duhet ta kenë mbytur, pasi ta ketë dorëzuar uniformën, do të thotë pasi të jetë veshur në tesha civile.“ (Nebih Shatri, familjar)
5.
RRËFIMI I NJËRIT PREJ OFICERËVE TË KOS-it
« Haki Shatri punonte në Qendrën e rekrutimit, në kazermën e Sarajevës. Aty përcillej pandërprerë: me kë rri, çka flet, si sillet, sa është serioz, çka i intereson më së shumti, komunikimi me familjen, raporti me eprorët, raporti me ushtarët. «
« Ai vëzhgohej 24 orë në ditë. »
« Haki Shatri ishte ushtar i rregullt, respektonte rregullat në APJ dhe kishte sjellje shembullore. Në fund të vitit 1985 e lëshuan të shkonte në shtëpi. Ndërkohë, ishte përgatitur ekipi që do ta përcillte prej daljes nga kazerma, gjatë gjithë rrugës, pastaj në familje dhe kudo që shkonte. Në tesha të trupit i kishin vënë sensorët nëpërmjet të të cilëve përcillej jo vetëm se ku shkonte, por edhe çka fliste dhe me kë fliste. »
« Qendra e përgjimit nga distanca ishte e vendosur në një kombi të tipit “Citroen”, ngjyrë e bardhë, që lëvizte sipas nevojës ; nga Lagjja e Popoviqve në Gurrakoc, te Transformatori në Tomoc, që ishte përballë shtëpisë së Hakiut; apo në Serbobran, në oborrin e një familjeje serbe. »
« Qëllimi ishte të dokumentohej veprimtaria e tij, të zbulohen kontaktet e tij në terren etj. »
«Gjatë përcjelljes sistematike është konstatuar se Hakiu i kishte treguar familje se ka probleme me organet e shërbimit sekret (KOS-it ). Për gjendjen e tij ai, po ashtu kishte biseduar edhe me disa njerëz jashtë familjes, të cilëve u kishte treguar për marrjet në pyetje, për kërcënimet dhe keqtrajtimin.»
«Me t’u kthyer ekipi përcjellës në Sarajevë, i informoi nivelet më të larta të Shërbimit sekret ushtarak (KOS-it dhe KOG-ut) për aktivitetin e vet, dhe, më në fund në ato nivele është marrë vendimi për eliminimin e Haki Shatrit.»
« Për këtë qëllim kanë urdhëruar seksionin e VI-të, i cili merrej me ekzekutimin e operacioneve speciale. Ky ishte një njësit i veçantë, për të cilin dinin vetëm strukturat më të larta të KOS-it. Forma e ekzekutimit ishte zgjedhur: varja e viktimës.»
«Me pretekstin se gjoja oficeri i tij në kazermë nuk ishte aty, Haki Shatri nuk u lejua të dilte nga kazerma në kohë normale, pra gjatë ditës, më 1 shkurt 1986, por kanë pritur që ai të ndahej prej ushtarëve dhe të shkonte në dhomën e tij që jo rastësisht, kohë më parë, ishte e ndarë prej të tjerëve. Dhe, meqë ishte fundjavë, në ato lokale nuk ishte askush tjetër, pos Hakiut.»
«Në orën 21h30, oficeri ia kishte nënshkruar librezën dhe i kishte thënë “Vishu se do të dalësh menjëherë”. Hakiu kishte kërkuar të shkonte dhe të përshëndetej me shokët e tij, por nuk e kanë lënë me pretekstin se do t’i ikte treni i fundit.»
«Hakiu pasi kishte veshur rrobat civile, del nga Qendra e rekrutimit dhe shkon në drejtim të Stacionit të autobusit, të cilin nga Qendra e ndante vetëm një rrugë.»
«Posa del në rrugë, policia ushtarake inskenoi një kontroll. E morën gjoja për t’ia kontrolluar gjërat që kishte më vete dhe e dërguan në komandën e Armatës VII, ku ishte edhe qendra e KOS-it.»
«Në orët e vona të natës, e dërguan në Qendrën e rekrutimit dhe aty e ekzekutuan vendimin pra varjen e tij.»
«Ekipi i cili kishte planifikuar ekzekutimin e Haki Shatrit ka qenë i përbërë nga koloneli Aleksandar – Aca Vasileviq, në atë kohë, kryeshef i KOS-it në Armatën e Shtatë, zëvendësi i tij Fikret Muslimoviq dhe nënkolonelët Aca Tomanov, Dobrivoje Petkoviq dhe Sava Kërneta.»
«Vendimi për ekzekutimin e Haki Shatrit, ishte marrë:
– Së pari, për shkak të kundërshtimit të tij kategorik që të bashkëpunojë me KOS-in;
– Së dyti për të acaruar gjendjen në Kosovë, sepse ekzistonte bindja se njerëzit që ai njihte apo që i kishte të afërm do të ndërmerrnin akte terroriste kundër ushtrisë dhe kjo do t’ia mundësonte krahut serb të saj që të bënte intervenim të hapur e të përgjakshëm në Kosovë;
– Së treti, për të ndëshkuar një familje, që njihej gjithandej për veprime dhe qëndrime konstante kundër shtetit.“
*
Librin « Një gurë për ushtarin që e vranë » e botoi Koha Ditore në vitin 2011. Autorë të saj janë djemtë e axhës së Hakiut : Metë Shatri dhe unë, autori i këtyre rreshtave.
Të gjitha citimet në këtë postim janë marrë te ky libër.