Mesditën e së shtunës, një 27-vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, ndërkaq dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në tregun e gjelbër të Mitrovicës, mesditën e së shtunës pas një mosmarrëveshjeje pati edhe të shtëna me armë zjarri.
Si pasojë, një person mbeti i vdekur dhe dy të plagosur.
Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, pasi ishte i lënduar.
“Është raportuar se pas një zënke mes disa personave, një i dyshuar mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tre viktimave meshkuj kosovarë të cilët janë qëlluar nga arma e zjarrit. Si pasojë e lëndimeve njëri nga të plagosurit ka vdekur, dy të tjerët janë duke u trajtuar në spitalin rajonal. I dyshuari është arrestuar, i njëjti ishte i lënduar dhe ka marrë tretman të nevojshëm mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse dhe si dëshmi janë konfiskuar arma dhe tri gëzhoja”, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.
Ndërkohë, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur një pushkë gjuetie dhe 43 fishekë.
“Është bërë bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie, 43 fishekë të armës së njëjtë. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, ka njoftuar policia.