Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar pas takimit me përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shkruan Gazeta Express.
Krasniqi tha se me ata ka biseduar rreth dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes së një marrëveshje finale në mes të dy shteteve.
Sipas tij marrëveshja duhet që të sigurojë njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues.
“Sot, në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, takova Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Diskutuam për zhvillimet politike në shtetin tonë dhe për rolin e Partisë Demokratike të Kosovës si udhëheqëse e opozitës në vend. PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, intergritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka shkruar Krasniqi në një postim në “Facebook”.
Dy emisarët po qëndrojnë nga dje në Kosovë, ku kanë takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.