Jo vetëm gomone me marijuanë por dhe drogë të rënda si kokainë e heroinë janë sekuestruar nga autoritetet policore italiane gjatë ditëve të fundit ku protagonistë janë korrierë dhe trafikantë shqiptarë.
Autoritetet e Policisë Financiare italiane kanë arrestuar në flagrancë 2 vëllezër shqiptarë, 30 dhe 32 vjeç, me akuzën e trafikut të drogës së tipit kokainë.
Operacioni antidrogë u ekzekutua në komunën Santa Croce sull’Arno në provincën e Massa Carrara.
Në banesën e dy vëllezërve shqiptarë u gjetën të fshehura 12 kg kokainë e rreth 70 mijë euro cash.
Gjithashtu u sekuestruan instrumente për konfeksionimin e dozimin e kokainës, si dhe për numërimin e kartmonedhave që dëshmojnë biznesin frenetik të përfitmit nga trafiku i kokainës.
Hetimet e operacionit kanë nisur në janar të 2020 pas operacionit të koduar “Market Motta” i cili zbardhi një rrjet trafikantësh e korrierësh droge.
Sipas Financës italiane kokaina e sekuestruar ka në treg një vlerë prej 1 milionë e 200 euro.
3 kg të tjera kokainë janë kapur nga autoritetet italiane në komunën Massa Lombarda në provincën e Ravenas. Kokaina u gjet në banesën e një shtetasi shqiptar 30 vjeç i papunë e banues në Itali, i cili u vu në pranga. Gjatë këtij operacioni u denoncuan 2 shqiptarë të tjerë, njërit prej të cilëve iu sekuestruan 172 mijë euro cash. Paratë ishin fshehur në automjetin e tij me targa shqiptare.