Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka diskutuar sot në seancë plenare me ish ministrin e shëndetësisë, Uran Ismaili, të cilit i ka sugjeruar që ta kursejë dhe se gjthë çka kanë, t’i thonë njëri tjetrit me fakte, pa përdorur etiketime e ofendime.
Kjo erdhi pasi Ismaili adresoi kritika në lidhje me kompanitë farmaceutike dhe çmimet dhe nivelizimin e barnave.
“Më vjen keq për gjuhën e tij. Mendoj që duhet të jetë i kujdesshëm me adresimin dhe përzgjedhjen e gjuhës profesionale, etike e morale”.
“Nëse Urani e ka ditur që farmacistët janë grupe kriminale, është dashur t’i adresojë në prokurori e gjykata vendore”.
“Sa i përket kauzës së vënies së tavanit të çmimeve në barna, nuk e mbulojnë pjesën tuaj të përgjegjësisë së shëndetësisë, sepse me pasojat e 20 vjetëve po përballemi sot”, deklaroi Zemaj para deputetëve.
Ndërkaq, Ismali i bëri kundër-replikë menjëherë, duke i thënë:
“Gjuhën kam pasur të butë, dhe kritikat ishin jo ndaj teje por ndaj grupeve kriminale, e ata kanë ekzistuar dhe shumë dosje kanë shkuar në prokurori. Atyre nuk mund t’i them shoqata humanitare, por grupe kriminale”.
“Problemin e kam te vullneti politik i yti. Mos e kthe situatën ku duhesh me u marr ti e pastaj duhesh me i nxjerr flokët e tua, se ata kanë përfituar miliona.
Je duke e kthyer një situatë në të cilën abuzimi ka qenë katastrofal dhe jashtëzakonisht i madh. Vendosi banderolat, mos të shiten barnat me çmime të larta”.
“Sa i përket metodologjisë, edhe një nxënës i shkollës fillore ta kryen. Ju ka dërguar listë Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi… ju ka mbetur vetëm Shqipëria”.
Ndaj kësaj reagoi ministri Zemaj, i cili deklaroi se garanton që nuk do të ketë rritje të çmimeve dhe se do të ketë kontroll të shtuar, duke treguar se i ka angazhuar dy inspektorate.