Ish-sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Naim Bardiqi ka raportuar sot para Komisioni Parlamentar për menaxhimin e COVID-19.
Bardiqi gjatë raportimit para këtij komisioni, ka folur për donacionet e ardhura nga Serbia në Kosovë gjatë periudhës 2016 deri më 2019.
Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe, Kosova ka pranuar mbi 70 donacione me pajisje e produktive medicinale, e të cilat janë pranuar një ose dy herë brenda muajit.
Kryetarja e komisionit, Mimoza Kusari-Lila ka pyetur ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me pranimin e donacioneve nga Serbia në prill të këtij viti.
“Duhet të di që në këtë proces, si ka rrjedhur procesi i kontaktit të pranimit dhe procedimit të testeve nga Serbia? A është ky komunikimi i parë që Ministria e Shëndetësisë e ka pasur me Republikës e Serbisë, gjegjësisht a ka pasur produkte apo material tjetër medicinal në këtë qeverisje apo paraprakisht që Ministria e Shëndetësisë është furnizuar nga Republika e Serbisë?”.
Bardiqi tha se Kosova ka pranuar në vazhdimësi donacione nga Serbia dhe se këto donacione kanë qenë në shumicën e rasteve me pajisje dhe produkte medicinale.
“Po, kanë ekzistuar në vazhdimësi pranim i donacioneve nga Republika e Serbisë. Ju kujtoj se unë jam drejtor me akt emërim në Departamentin për Zhvillim Strategjik Shëndetësor në MSH që nga 1 qershori 2016, ndërsa nga nëntori 2017 ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm. Nga 22 gusht i vitit 2018 jam emëruar sekretar i përgjithshëm në këtë ministri. Që nga kjo kohë në vazhdimësi MSH ka pranuar donacione nga Republika e Serbisë. Mund të them ndoshta një ose dy herë brenda një muaj… (Çfarë natyre të donacioneve ka pranuar MSh ka pranuar në vitin 2016, 2017, 2018 nga Republika e Serbisë?) Më është thënë që donacione janë pranuar edhe vitet paraprake, mirëpo unë personalisht nuk kam parë dokumente”.
Kusari-Lila, ka kërkuar sqarim se nëse ka qenë procedurë e njëjtë e pranimit të testeve edhe në kohën kur janë pranuar 1 mijë teste nga Serbia, në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Sekretari i MSH-së, ka theksuar se ka ndodhur shpesh që të njoftohen se donacionet janë në kufi dhe është dashur t’i pranojnë.
“Prej datës janar 2016 deri më 31 dhjetor 2019, e kam harruar vlerën komerciale në total sa janë këto donacione, kemi të bëjmë me 73 deri në 76 donacione të pranuara nga Republika e Serbisë… Ajo se çfarë ka ndodhur me pranimin e testeve të PCR, nëse më kujtohet, data 16 prill, ka qenë z. Paviqeviq si oficer ndërlidhës në Republikën e Serbisë në Republikën e Kosovës nën ombrellën e BE-së më ka marrë në telefon dhe më ka thënë se teste RT PCR janë rrugës dhe ka kërkuar nga unë që të organizoj sa më parë meqenëse kemi të bëjmë me pajisje termolabile dhe që lehtë shkatërrohen. Aty nuk kemi pasur kurrfarë mundësie që të procedojmë me çështje administrative lidhur me pranimin e këtyre donacioneve. Përveç se në formën e përcjelljes së policisë dhe këtë e kam sqaruar edhe në shkresën si përgjigje e kryetarit të Federatës, Sylës”.
Bardiqi tha se për shkak të presionit politik dhe mediatik, kishte kërkuar nga IKShP që të mos përdoren këto teste deri në një vendim të ardhshëm.
Ish-sekretari gjatë raportimit si dëshmitar në këtë komision hetimor është pyetur nga anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu nëse ka pasur leje importi për 1 mijë testet nga Serbia për COVID-19.
Ai theksoi se nuk e beson që ka pasur leje importi.
I pyetur se a është kjo kontrabandë Bardiqi thënë se “nuk e di”.
“Më falni, nuk po më kujtohet a është kontrabandë apo çfarë si mund të quhet, apo futje ilegale, nuk jam i sigurt si sanksionohet konkret”.