Ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka thënë për krejt vitet që ka shërbyer në këtë post, nuk ka hasur në kërkesa për të shkuar në zyre të zyrtarëve të shtetit për të marrë dëshmi.
Beka thotë se kërkesa qe prokurorët të shkojnë në zyrën e Kryeministrit është e palejueshme. Ndërkohë për dy ditë nga Prokuroria Speciale nuk kanë dhënë përgjigje nëse e kanë bërë gati ftesën e dytë për Kurtin.
“Për gjithë vitet që ka shërbyer në drejtësi, nuk ka pasur rast që zyrtarët e shtetit të kenë kërkuar të merren në pyetje në zyrat e tyre. Hjithmonë na ia janë përgjigjur edhe deputetët edhe ministrat edhe kryetarët e shtetit” tha ai per Teve1.
Për ish kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës Imer Beka, prokurorët nuk duhet asnjëherë të shkojnë në zyrën e një kryeministri për të marrë atë në pyetje – siç ka kërkuar kryeministri Albin Kurti.
Beka thotë se kjo gjë është e palejueshme.
E gjatë ditës së hënës, edhe pse kryeministri u kthye nga udhëtimi zyrtar në Slloveni, nuk pranoi asnjëherë të përgjigjej para gazetarëve se a do t’i përgjigjet ftesës së radhës nga Prokuroria.
Pa përgjigje gjatë këtyre dy ditëve kanë qenë edhe nga Prokuroria Speciale.
Ky institucion nuk ka dhënë detaje se a është bërë gati ftesa e dytë për kryeministrin e vendit Albin Kurti dhe nuk treguan nëse i njëjti do të vijë në Prokurori apo prokurorët do të shkojnë në zyrën e tij siç ka kërkuar ai.
Prokuroria Speciale javën e kaluar i ka dërguar ftesë kryeministrit të vendit, Albin Kurti që të dëgjohet si dëshmitar për rezervat shtetërore.