Ish diplomati i Shqipërisë, Prof. Ksenofon Krisafi ka reaguar, pas publikimit të lajmit për inicimin e aktakuzës kundër presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit.
Ai ka thënë se akuzat ndaj Thaçit, Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tyre në radhët e UÇK-së, nuk mund të jetë veçse një sulm ndaj Kosovës, shqiptarisë dhe trashëgimisë së luftës së UÇK-së.
“Kjo që po ndodh në Kosovë me elitën e saj politike ka shkaktuar shqetësim të ligjshëm, sepse ata që akuzohen me pretendime hipotetike, janë djemtë e saj. Në lulen e rinisë morën armët, u ngjitën maleve dhe me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar sollën lirinë e shumënderuar për të gjithë ne shqiptarët, andej e këtej kufirit”, ka shkuar ai.
Sipas Krisafit, pavarësisht se ç’mund të ketë ndodhur me ndonjë prej tyre në rrugën e gjatë të ndërtimit të shtetit, demokracisë, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore etj., të gjithë ne iu jemi atyre shumë mirënjohës.
“Në këtë vështrim ishte impresionues fakti që dje dhe sot të gjitha forcat politike në trojet shqiptare u bënë bashkë dhe në solidaritet vëllazëror treguan se nuk pranojnë që nderi dhe dinjiteti i shqiptarëve të merret nëpër këmbë si kosto e kompromiseve që kërkohen”, ka shkruar ai perciell Telegramisot.
Ish-diplomati shqiptar ka theksuar se nga kjo pikëpamje ato meritojnë vlerësimet maksimale dhe është detyrë e tyre që këtë rast ta kthejnë në shembull sjelljeje për të ardhmen që të kujtojnë dhe të kuptojnë porosinë e prijësit të madh, Skënderbeut, se bashkimi bën fuqinë se duke qenë së bashku do të respektohemi siç e meritojmë.
“Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova dhe gjithë shqiptarët, do të shtoja unë, të ndjehen të tradhtuar prej tyre!”, ka shkruar ai!