Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se sot ka mbajtur takim me zyrtarë të lartë të partisë për të biseduar për përgjijgjen e Këshillit të Përgjithshëm lidhur me mundësinë e krijimit të një qeverie të re.
Mustafa tha se edhe në këtë takim u konfirmua se LDK është gati për të krijiuar një qeveri nëse vije mundësia, shkruan Reporteri.net.
“Ne konstatuam që kemi marrë një përkrahje të madhe nga KP, pasi 108 nga 124 anëtarë të KP kanë votuar pro një qeveri të mundshme bashkë me AAK, Nisma, AKR dhe komunitete.
Tani një përkrahje të tillë e kemi nga organi që vendos për koalicionit, por kjo nuk do të thotë që ne kemi vendimin për koalicion, sepse këtë vendim do ta marrim vetëm kur përmbushen kushtet”, ka thënë Mustafa.
Mirëpo, i pari i LDK-së ka thënë se njëherë nuk do të bëhet asgjë nga ta, pasi pritet që VV-ja ta pranojë ose refuzojë mandatarin.
Mustafa, po ashtu, ka thënë se qeveria e re nga LDK-ja varet edhe nga partnerët, pasi thotë se kjo varet nga njerëzit që zgjedhen për në qeveri.
Ai thotë se LDK kërkon njerëzit më të mirë.
“Po ashtu, qeveria do të varej edhe nga partnerët, pasi ne kërkojmë njerëz me përgjegjësi, pa të kaluar penale. Po ashtu, ne kemi kuotën gjinore.
Ndërkaq, objektivat do të jenë përballimi i COVID 19, dialogu, lufta kundër korrupsionit dhe rimëkëmbjen ekonomike. Ne konstatuam që kemi një disponim, gjithmonë duke bërë kërkesë që të kemi njerëzit më të mirë në Qeveri. Ne jemi gati ta pranojnë këtë gjë, mirëpo duke respektuar Kushtetutën”, ka shtuar Mustafa.
Ndër të tjera, Mustafa ka thënë se emisarit Richard Grenell i ka thënë se do ta hiqte reciprocitetin, mirëpo do të hiqej me kusht që Serbia do ta ndalë fushatën. Sipas tij, reciprociteti mund të vendosej sërish nëse nuk respektohet nga Serbia.