Nga IPK-ja janë ngritur 41 kallëzime penale pranë prokurorive kompetente për zyrtarë policorë, teksa sipas të dhënave nga Policia e
Kosovës, rreth 150 zyrtarëve policorë në Kosovë u është ndërprerë kontrata e punës gjatë kësaj periudhe. Edhe pse janë të thirrur që ta mbrojnë ligjin, një numër i madh i zyrtarëve policorë janë të përfshirë në vepra penale.
Në nëntëmujorin e parë të vitit 2019 në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) janë dërguar gjithsej 1030 ankesa për zyrtarët policorë në Kosovë. Prej këtyre ankesave 651 janë dërguar në Departamentin e Hetimeve, në Inspektorat.
“Inspektorati Policor i Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2019 ka pranuar gjithsej 1030 lëndë/ankesa, të cilat janë pranuar përmes mënyrave të ndryshme në IPK. Nga numri total prej 1030 lëndëve/ankesave, 679 ankesa janë dërguar në Policinë e Kosovës për hetim disiplinor, ndërsa 351 ankesa janë proceduar në Departamentin e Hetimeve në IPK”, ka bërë të ditur për “Zërin” Zyra për Informim e IPK-së.
Në të njëjtën periudhë kohore me autorizim të Prokurorisë, sipas IPK-së, janë arrestuar 32 zyrtarë policorë, teksa është rekomanduar suspendimi i 57 zyrtarëve të tjerë. “Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, me autorizim të Prokurorisë, në periudhën janar – shtator 2019 ka arrestuar tridhjetë e dy (32) zyrtarë policorë dhe një (1) staf civil, kurse ka rekomanduar suspendimin e pesëdhjetë e shtatë (57) zyrtarëve policorë dhe dy zyrtarëve të stafit civil të PK-së. Sa u përket zyrtarëve policorë të transferuar, janë tetë”, thuhet më tutje në përgjigjen e IPK-së.
Për sa i përket ngritjes së kallëzimeve penale, gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti janë ngritur 41 kallëzime penale, si dhe 141 raporte informuese janë përcjellë në Prokurori. “Duke pasur parasysh rastet e pranuara në IPK gjatë këtij nëntëmujori, hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë ngritur 41 kallëzime penale pranë prokurorive kompetente, 9 raporte të veçanta, si dhe 141 raporte informuese, që janë përcjellë në Prokurori”, potencohet në përgjigjen e IPK-së.