Prof. Dr. Jahja Kokaj, drejtor i Qendres Edukative Shkencore Cosmosi & Njeriu, Rr. Islam Koci pn, Gjakovë, Kosovë
Email: jkokaj@jahoo@com
Prof. Dr. Fadil Çitaku, drejtor i Academy of Leadership Sciences Switzerland
World Trade Center
Leutschenbachstrasse 95
CH-8050 Zürich
Switzerland
Email: info@alss-edu.ch
Kompetencat e kurrikulës bazë, si amëza kryesore e realizimit të suksesshëm të procesit mësimor trajtohet në mënyrë të re. Informacioni, qarkullimi dhe procesimi i tij në sistemin nervor si proces kognitiv, trajtohet sipas ligjeve të entropisë.
Inteligjenca emocionale dhe kyçja kësaj komponenteje në procesin mësimor rrit efikasitetin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Kyçja e dy komponenteve në fjalë dhe trajtimi eksplikativ dhe shkencor i kompetencave të kurrikulës bazë, e bën kurrikulën më shkencore, transparente dhe të zbatueshme në sistemin dhe procesin mësimor.
Mungesa e mënyrës adekuate të sqarimit të mësimit të reformuar apo modern, ka bërë që as hartuesit përkatës të ministrisë̈ e as mësimdhënësit mos t’i kuptojnë në nivel të duhur kurrikulat dhe as mundësinë e zbatimit të tyre në sistemin dhe procesin mësimor. Siç duket, ky është një nga faktorët kryesorë i rezultateve të ulta mësimore në Kosovë, të dëshmuara edhe në PISA.
Këtu propozojmë një formë të re, në të cilën duhen bazuar të gjitha kompetencat për të nxënit e njohurive, shkathtësive, vlerave dhe qëndrimeve.
Kjo mënyrë e re bazohet në informacionin dhe përpunimin e tij. Për këtë arsye fillojmë me sqarimin e konceptit të informacionit në mënyrë të lehtë-kuptueshme. Konceptin e informacionit e bazojmë në një koncept më të thjeshtë: të dhënat.
Të dhënat janë pjesëza elementare (anglisht bits), elemente themelore informative, të cilat pas koleksionimit (mbledhjes), përpunimit, rezultojnë në një informacion të caktuar. Koncept edhe më i gjerë se sa informacioni është entropia, e cila është sasi mesatare e informacioneve te transmetuara për një objekt apo ngjarje korreluese. Korrelacioni i informacioneve është bazë njohjes dhe avancimit të diturisë (1).
Komponent tjetër më rendësi, i cili ka munguar në përgatitjen e kurrikulës dhe përmbajtjes së saj, nga e cila derivohen programet dhe i tërë procesi mësimor, është emocioni, i cili është faktor më rëndësi në rritjen e efikasitetit të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Baza fillestare e tër procesit mësimor fillon më kurrikulën bazë, e cila procedohet më kornizën kurrikulare dhe pastaj më tërësinë e kompleksitetit të sistemit mësimor.
Në këtë studim, me qëllim të avancimit të kurrikulës ekzistuese, e cila konsiderojmë që nuk ka qartësi të duhur (ndaj ka edhe mangësi për mundësi të zbatimit efikas), trajtojmë gjashtë kompetencat kryesore në kuadër të kurrikulës bazë.
Në akordancë më shkrimin e Çitakut, «Shpresa e avancimit të Kombit Shqiptar është investimi në Lidership dhe Inteligjencën Emocionale» botuar në 2019 (2), sugjerojmë që: «Ministritë e Arsimit dhe Akademitë e Shkencave të Shteteve Shqipfolëse të Ballkanit duhet menjëherë të fusin në kurrikulat e tyre parashkollore, shkollore e universitare si lëndë obligative “Lidershipin dhe Inteligjencen Emocionale” (2,3).
Shkolla e reformuar dhe arsimtarja/arsimtari që funksionojnë në akordancë me kompetencat, në një anë, por edhe prindi, në anën tjetër duhet ta avancojnë punën edukative të fëmijve të bazuar në vlera humane dhe pozitive. Ata duhet të jenë model për të ngulitur në trurin e fëmijëve sjellje të mira dhe empatike. Nëse ne nuk e bëjmë këtë sot, do krijojmë edhe në të ardhmen lidere/lidër të paaftë, të cilët sikurse këta të sotmit, nuk do kenë aftësi të na drejtojnë në drejtim të duhur. (2,3)
Duke u bazuar në konceptin e sqaruar më lartë të informacionit dhe nevojën e kyçjes së komponentës emocionale apo inteligjencës emocionale, më poshtë sqarojmë kompetencat e kurrikulës.
TRAJTIM SHKENCOR I KOMPETENCAVE MËSIMORE
1.Kompetenca e Komunikimit dhe të shprehurit:
Komunikimi dhe të shprehurit shpjegohen si qarkullim i informacionit në mes të dy apo më tepër kokave njerëzore, si dhe te shprehjes së informacioneve që një person arrin të emitojë. Komunikimi, kuptohet si marrje dhe dhënje e informacioneve. Informacionet përmes të shqisave arrijnë në trurin e nxënëses/nxënësit. Arritja a po zhvillimi i kompetencës, nënkupton përgatitjen e trurit më aftësi për t’i procesuar informacionet e marra duke arritur një kuptim të tyre. Të kuptuarit apo shkalla e njohjes së informacioneve, që arrijnë duke formuar një koncept apo kuptim të caktuar, nënkupton nevojën e përgatitjes së trurit të nxënëses/nxënësit për këtë qëllim. Zhvillimi i aftësive apo kapaciteteve trunore për të marrë informacione dhe për t’i kuptuar ato, definon arritjen e kompetencave marrëse të individit.
Si arrihet kjo përgatitje trunore apo shprehur ndryshe, kompetenca në fjalë?
Kompetenca optimale apo e dëshiruar marrëse, gjatë procesit të komunikimit, arrihet me parapërgaditjet e trurit, duke u pajisur paraprakisht me informacione të nevojshme për t’i njohur apo kapeur informacionet e reja. Kuptimi efikas i tyre realizohet nëse sigurohet një ambient i nevojshëm emocional në trurin e nxënëses/nxënësit.
Përderisa aftësia e marrjes së shpejtë dhe efektive shpreh inteligjencën kognitive, aftësia e vetë- gjenerimit të ambientit të përshtshëm apo optimal emocional, përkufizon inteligjencën emocionale.
Pjesa e dytë e kompetencës së parë, në listën e kompetencave është kompetenca e të shprehurit. Parakusht i të shprehurit efikas është të kuptuarit e plotë të informacioneve që nxënësja/nxënësi do t’i shprehë, sidomos të kuptuarit të sistemimit struktural të tyre.
Më aftësi të larta gjuhësore, informacionet shprehen në mënyrë më të qartë dhe efikase. Nxënëset/nxënësit me përgatitje të avancuar mund të shprehen edhe me anë të simboleve, kodeve apo me forma të caktuara artistike. Ngritja e aftësive të përmendura nënkupton arritjen e kompetencave të të shprehurit. Gjithsesi, aftësia e përqendrimit të nxënëses/nxënësit dhe inteligjenca e saj/tij emocionale, rrit aftësinë e të shprehurit apo kompetencën në fjalë.
2.KOMPETENCA E TË MENDUARIT (ARRITJA E TË MENDUARIT KREATIV/KRIJUES DHE KRITIK)
Procesimi i informacioneve të marra lidhur me informacionet e mëhershme që ka fituar nxënësja/nxënësi, mundëson rekognizimin apo njohjen e informacioneve të reja të marra dhe identifikimin e tyre. Njohuritë e fituara, procesohen, analizohen në mënyrë kritike. Niveli i lartë i të kuptuarit mundësonë përjetimin kritik që mundëson zgjerimin dhe thellimin e procesimit të atillë mendor, sa nxënësja/nxënësi nxjerrë në horizontin e mendimeve, alternativa të reja të mundshme të realitetit apo informacioneve që ajo/ai merr. Kjo quhet shkallë kreative e të menduarit. Procesi mendor në fjalë kërkon një angazhim më të fuqishëm të qarkullimit të informacioneve në neuronet trunore, ndaj edhe shpenzohet energji më e madhe. Gjatë këtyre procesimeve, që quhen kognitive, realizohen krahasime, analiza, operacione matematikore, procesime sasiore dhe nxjerrja e përfundimeve cilësore.
Angazhimet e frekuentuara të këtilla kognitive trunore, mundësojnë rritjen e lidhjeve të fijeve trunore apo kapaciteteve përpunuese apo mendore, që disa e quajnë edhe rritje e “muskujve” trunor. Rritja e kapaciteteve në fjalë, pra e kompetencave të të menduarit nënkuptonë rritje të mençurisë.
3.KOMPETENCA E TË MËSUARIT GJATË TËRË JETËS (NXËNËSE E SUKSESSHME/NXËNËS I SUKSESSHËM)
Kjo kompetencë ka dy komponentë:
a)Zhvillimin e etjes apo nevojës për dije, që nënkupton zhvillimin e kureshtjes apo kërshërisë për njohuri të reja, apo interesimin për nxënie. Ky komponent ka karakter emocional, ndaj edhe quhet inteligjencë emocionale e të mësuarit apo nxënjes.
b)Zhvillimin e teknikave, stileve dhe strategjive për mësim efikas apo nxënie sa më të shpejtë, të qartë dhe në sasi të mëdha. Përderisa komponenti i mëparshëm është emocional, komponenti aktual kërkon trajnime dhe testime të stileve dhe strategjive të ndryshme për të hetuar se cili nga ato arrin mësim më efikas.
Studimet shkencore demonstrojnë se ngritja e kompetencave të lidershipit dhe të inteligjencës emocionale korrelojnë në mënyrë të drejtëperderjtë në ngritjen e të arriturave në nxënie efektive të mësimit, por kjo rrit edhe atributet tjera, që janë me shumë rëndësi për jetën dhe profesionin.
Geleman (1996) konstaton se 80% deri në 90% të kompetencave profesionale që posedojnë punonjësit më të mirë, janë të lidhura me inteligjencën emocionale (5). Rezultatet e një studimi grandioz, meta-analitik, të Durlak et al. (2011) tregojnë se mësimi i inteligjencës emocionale korrelon në mënyrë të drejtpërdrejtë më disa përfitime qe nxënësja/nxënesi mund t’i arrijë. Këto janë:
22% rritje e aftësive sociale dhe emocionale;
9% rritje e përcaktimit pozitiv;
9% rritje në sjelljen pro-sociale;
10% ulje të shqetësimit emocional;
11% avancim i arritjeve akademike(4).
Aplikimi i komponentëve në fjalë, të kompetencave të mësimnxënies, sidomos vullnetit apo kureshtjes për të nxënë, mund të arrihet në mënyrë përmanente apo të përjetshme. Ndaj njerëzit e ditur me krenari e quajnë veten si nxënës të përhereshëm.
4.KOMPETENCA PËR JETË, PËR PUNË DHE MJEDIS
Angazhimi në aktivitete të përsërituara të punës apo mësimit, gjeneron një formë të “orës biologjike”, ndjesi të vullnetit të punës apo shprehive punuese. Kjo formë e edukimit apo aftësimit të trurit nënkuptohet si gjenerim i kompetencave për punë, lëvizje apo veprime jetësore. Gjenerimi i shprehive punuese apo vullnetit punës, fitohet me arritjen e një cilësie të caktuar emocionale trunore. Mund ta quajmë kompetencë emocionale për punë, lëvizje të gjymtyrëve dhe trupit, apo për aktivitete të ndryshme jetësore. Aftësitë̈ punuese apo kompetenca në fjalë, i siguron nxënëses/nxënësit, apo njeriut në përgjithësi, prestigj të caktuar në shoqëri. Kjo kompetencë i siguron individit pozitë admiruese shoqërore. Kështu, duke gjeneruar një sinjal kthyes psikologjik, gjeneron inteligjencë emocionale përkatëse, apo vullnet punues. Në këtë mënyrë̈, eksponencialisht rriten kompetencat për punë dhe jetë.
Aktiviteti i punës prodhuese, apo ekzekutimi energjetik, mund të gjenerojë ndotje të ambientit. Ndaj edukimi i trurit për ruajtje të mjedisit është domosdoshmëri e kohës.
Dobitë shoqërore të përmendura që sjell puna, që fatkeqësisht shoqërohet me degradim eventual të ambientit, implikon të kuptuarit e lidhshmërisë së shoqërisë, jetës dhe natyrës. Harmonia ligjore e tyre, sjellë mirëqenie njerëzore. Ndaj edhe kompetenca për ruajtjen e mjedisit dhe ruajtjes së harmonisë së njeriut më natyrën, është kompetencë më rëndësi që duhet të kultivohet tek nxënëset/nxënësit.
5.KOMPETENCA PERSONALE (INDIVID I SHËNDOSHË)
Njeriu, apo nxënësja/nxënësi, është qënie shoqërore. Që të jetë personalisht e/i suksesshëm-e dhe e/i dobishëm-e për shoqërinë ajo/ai duhet të ketë raporte të lëmuara, jo konfliktuoze por miqësore apo profesionale me individ të tjerë apo me shoqërinë. Për këtë arsye nxënësja/nxënësi duhet të arrijë shprehi të shëndosha ndërkomunikese. Për të përvetësuar këtë kompetencë vitale, kërkohen të paktën dy veti të cilat nxënësja/nxënësi duhet t’i arrijë:
a)Vetëkonfidenca apo vetëbesimi dhe
b)Respektimi i të drejtave të individëve të tjerë apo të shoqërisë.
Vetëbesimi apo ndërdija që nxënësja/nxënësi është dikushja/dikushi dhe vlen diçka, është i domosdoshëm, për personalitetin e saj/tij.
Njerëzit që e zotërojnë aftësitë shoqërore, që kanë shumë njohje, përpiqen të gjejnë pika dhe interesime të përbashkëta me të tjerët dhe besojnë në bindjen se gjërat nuk mund të bëhen vetëm. Ballanca e vetëbesimit dhe respektimi i të tjerëve, përcaktonë aftësinë e sociabilitetit.
Nuk duhet të tejçmohen vlerat apo aftësitë personale në masë që dëmtojnë, neglizhojnë apo gjenerojnë arrogancë ndaj të tjerëve. Por më një balancë të këtyre dy komponentëve, duhet të realizohet një ndërlidhje e lëmuar dhe e shëndoshë e nxënëses/nxënësit, me individët e tjerë apo shoqërinë.
Njohja apo pranimi i aftësive të tjerëve, edhe nëse ato janë më të mëdha se të individit, është shprehi positive në kuadër të kompetencës personale, në fjalë.
6.KOMPETENCA QYTETARE (QYTETAR I PËRGJEGJSHËM)
Kompetenca qytetare është e lidhur ngushtë me demokracinë ku roli i individit, qëndrimit dhe kontributit të saj/tij kreativ është kanal më rëndesi i frymëarrjes demokratike. Roli i secilit individ vjen në shprehje nëpermes të mekanizmave dhe hallkave demokratike, ku gjithmonë konkurrojnë dy qëndrime: pozitë dhe opozitë. Të pamundësohet autokracia e sistemit, ku vendos një individ apo parti e vetme dhe të mundësohet pjesëmarrja në vendosje e shumicës apo e qytetarëve në tërësi.
Për këtë arsye individi apo qytetari duhet të jetë e/i përgatitur me edukatë demokratike që nënkupton, me kompetenca qytetare. Këtu nënkuptohet edhe guximi qytetar, për të reaguar kundër dukurive negative në shoqëri. Të dinë që rregullat dhe ligjet janë vendimtare në shoqëri. Mbi ligjin dhe kushtetutën nuk është asnjë individ, pavarësisht se kush është ajo/ai.
Nxënësja/nxënësi që nga ditët e fëmijërisë, apo mosheës shkollore duhet të edukohet me kompetenca qytetare.
Përfundim:
Reformimi i mësimit ka filluar që në hapat e parë të aplikimit të Sistemit të Bolonjës. Ideja e kalimit nga sistemi klasik i mësimit, në një sistem universal, koherent me sistemet arsimore evropiane ishte e qëlluar dhe e domosdoshme. Futja e kurrikulës dhe plan-programeve mësimore në kuadër të saj, po ashtu ishte ide progresive.
Mirëpo praktika tregoi që mos-përgaditja profesionale shkencore e kuadrit që realizon reformën në fjalë, me fazat dhe komponentët e përmendura më lart, në trojet tona gjeneroi një difuzion aktivitetesh, një konfuzion dhe tendencë të pasuksesshme të reformimit të dëshiruar mësimor.
Mos-kuptimi i kurrikulës dhe si rezultat mos-suksesi i implementimit të saj, ka gjeneruar një konfuzion dhe degradim të procesit mësimor duke degraduar atë edhe nën nivelin paraprak, apo mësimit konvencional. Degradimi i rezultateve të procesit mësimor dhe cilësisë mësimore u dëshmua radhazi shumë herë në rezultatet e ulta që arritëm në PISA.
Në këtë punim ne realizuam një trajtim të kompetencave mësimore dhe të bazës kurrikulare në nivel shkencor dhe transparent. Me futjen e konceptit të informacionit dhe inteligjencës emocionale në sqarimet e esencës dhe strukturës së kurrikulës dhe kompetencave mësimore, dhe kronologjisë kauzale shkencore e logjike të koncepteve, arrihet një tranparencë eksplikative dhe një efikasitet i zbatueshmërisë së kurrikulës.
Referencat:
(1)Kokaj J, Mustafa A. Marafi, Yacob Makdisi,et al. (1998). Proceedings Volume 3386, Optical Pattern Recognition IX; (1998). Orlando, FL, United States. https://doi.org/10.1117/12.304776.
(2)Çitaku F, Violato C, Beran T,et al. ,Leadership competencies for medical education and healthcare professions: population-based study.
BMJOpen2012;2:e000812.doi:10.1136/bmjopen-2012-000812.
(3)Çitaku F, (2019). Shpresa e avansimit të Kombit Shqiptar është investimi në Lidership dhe Inteligjencen Emocionale. Prointegra, Zürich. https://prointegra.ch/shpresa-e-avansimit-te-kombit-shqiptar-eshte-investimi-ne-lidership-dhe-inteligjencen-emocionale/
(4)Durlak, J. A., Weissberg, R. P., Dymnicki, A. B., Taylor, R. D., & Schellinger, K. B. (2011). Enhancing students’ social and emotional development promotes success in school: Results of a meta-analysis. Child Development, 82, 405-432.
(5)Goleman, D. (1998). Working with Emotional Intelligence. Bantam Books.
Smart Ho:YAG laser lithotriptor using optical correlation
SPIE Digital Library Proceedings