Imami i Xhamisë “Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi, ka bërë thirrje që xhamitë në vend të krijojnë kushte ku mund të falen gratë.
Maliqi, ka thënë që në këtë xhami, gratë e kanë hapësirën e veçantë të cilën mund ta shfrytëzojnë për të falur namazin.
“Ato xhami që kanë hapësirë të dedikuar për gra mund ta falin edhe namazin e Bajramit, po në ato hapësira. Falja e namazit vlen për të gjithë. Mund të them që janë kushtet jo të duhura dhe jo të volitshme që ofrohen praj xhamive dhe kjo duhet të jetë thirrje për të gjitha ato xhami që kanë hapësirë të mjaftueshme. Nëse deri tani nuk i kanë krijuar hapësirë për të falur namazin edhe gratë, atëherë atë duhet ta bëjnë patjetër”.
“Kjo është një thirrje fetare, pra qëllimi i namazit në xhami nuk është që besimtarët të afrohen mes vete për të larguar paragjykimet, por qëllimi mbi të gjitha është që të adhurohet Zoti”, u shpreh ai.
“Ne e kemi në xhaminë tonë një hapësirë të mirë dhe prej se është hapur xhamia, kemi menduar dhe e kemi ndarë një pjesë që është e dedikuar vetëm për gjininë femërore. Sot, ajo ka vlejtur gjithashtu dhe kanë ardhur gratë për të falur namazin”.
Maliqi thotë që kanë marrë urime edhe nga Shtëpia e Bardhë për festën e Fitër Bajramit.
“Pavarësisht dëshirës t’i takojmë njerëzit e kemi të pamundur ditën e parë, pasi e kemi obligim t’i presim mysafirët. Urime kemi pranuar të shumta jo vetëm nga besimtarët e besimit islam, por edhe nga besimtarët e komuniteteve të tjera që neve na bëjnë të ndihemi mirë”.
“Ka shumë urime, fillimisht urime kemi pranuar edhe nga miq që i kemi në Shtëpinë e Bardhë në Amerikë, miq që i kemi në Departamentin Amerikan të Shtetit, pastaj edhe miq dhe bashkëpunëtorët e mi shumëvjeçar që shërbejnë pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë”.