Gjenerali i pensionuar i FSK-së, Imri Ilazi, është ndaluar dhe liruar sot nga autoritetet e Turqisë për shkak se ai ka figuruar në listën e të kërkuarve në Interpol që e ka dorëzuar Serbia.
Ilazi ka falënderuar policinë kufitare në Aeroportin e Antalisë, duke thënë se kanë qenë shumë korrekt me të gjatë ndalimit që i është bërë.
“Me të ndaluar më kanë njoftuar se “Jeni i kërkuar në Interpol”, kërkesë të cilën e kishte bërë shteti i Serbisë”, është shprehur Ilazi në një prononcim për klankosova.tv.
“Përgjigja ime ishte e shkurtër se unë jam banor i Republikës së Kosovës dhe kërkesa e Serbisë nuk mund të jetë valide për ne por gjithashtu edhe për shtetin mik të Turqisë”.
Ilazi ka falënderuar autoritetet kosovare për ndërmarrjen e shpejtë të veprimeve.
“Në fakt procedurat e verifikimit kërkojnë kohen e vet, por Ambasadori ynë në Turqi, Dugolli dhe Atasheu ynë Kolonel Bekim Osmani kanë reaguar me shpejtësi duke më kontaktuar edhe personalisht për të bërë verifikimin sa më të shpejt. Ky reagim të jep ndjenjën se qytetari i Republikës së Kosovës është i mbrojtur me të drejtat e tij”.
Ai ka thënë se ndalesa e sotme e tij ka zgjatur afër katër orë, ndërsa ka thënë se ndalesat e tilla janë padrejtësi mbi qytetarët e Kosovës.
“Mosinkuadrimi ynë si shtet në Interpol ka vështirësuar punën e diplomacisë për të reaguar edhe më fuqishëm në shkeljen e drejtave tona të lëvizje dhe pikërisht këtu është objektivi i Serbisë që Kosovën ta pengojë në çdo drejtim duke tentuar për të pasqyruar imazhin negativ si dhe për të mbuluar krimet, dhunimet dhe gjenocidin”.
“Shteti dhe diplomacia jonë duhet të punojë shumë për të demaskuar fytyrën e vërtet të Serbisë së atëhershme dhe të sotme, që fare s’dallon”