Policia e ka arrestuar sot një person, shtetas i huaj, i cili dyshohet se mashtroi 70 kosovarë se do t’u bënte vizat dhe u mori 11 mijë euro.
Policia e Kosovës bazuar në informacionet e pranuara për vepër penale “Mashtrim”, përmes, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë (NJRHKEK–Prishtinë) ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore për zbardhjen e mashtrimeve të mundshme, për të cilat dyshohej se qytetarë të Republikës së Kosovës kanë rënë pre e tyre.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, përfshirë sigurimin e dëshmive dhe intervistimin e palëve (viktimave), si dhe intervistimin e personit të dyshuar shtetas i huaj me iniciale (J. L.), në prezencën e avokatit mbrojtës, në konsultim me Prokurorin Kujdestar, i dyshuari (J.L.) dërgohet në mbajtje prej 48 orëve.
Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë të kujdesshëm dhe mos të bien pre e mashtrimeve të çfardo lloji, por për çdo dyshim apo informacion që mund të jet i rëndësishëm për parandalimin e rasteve të tilla të mashtrimit të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në mënyrë që kryesit e këtyre veprave penale të sillen para drejtësisë.