Një vajzë e mitur është dhunuar nga një person në shtëpinë e saj në Prizren.
Për këtë raste Gjykata ka aprovuar sot kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizreni për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit N.K.
Siç ka njoftuar Gjykata, i dyshuari fillimisht në orët e pasdites dhe sërish në orët e vona të mbrëmjes, brenda të njëjtës ditë, derisa viktima – e mitura, gjendej e vetme në shtëpi, i pandehuri e shfrytëzon momentin e volitshëm futet në shtëpinë e saj dhe paraprakisht e grushton në fytyrë, e detyron të zhvishet dhe pa pëlqimin e saj e detyron të kryej marrëdhënie seksuale.
Gjykata ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje posa kanë filluar, në vijim të procedurës duhet të dëgjohet, i pandehuri, dëshmitarët, po ashtu në këtë çështje duhet të mblidhen edhe provat të tjera, andaj është konstatimi i gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm, dhe i domosdoshëm për rrjedhën normale të kësaj procedure penale.
Po ashtu siç thuhet në njoftim, gjykata, duke vendosur lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit i morri parasysh edhe masat tjera alternative, por konsideron se të njëjtat nuk janë të mjaftueshme dhe të sigurta për sigurimin e prezencës së pandehurit në procedurë gjer në sqarimin e rrethanave për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se i pandehurit ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë e posaçërisht kur hetimet në këtë çështje penale janë në fazën fillestare.
“Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi”, thuhet në njoftim.