Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, mbrëmë i ftuar në emisionin “Context” në ATV foli për zhvillimet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se Qeveria “Kurti 2” çdo ditë është duke punuar sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi. Madje ai përmendi se në bisedimet që janë duke u zhvilluar në këtë Qeveri, po marrin pjesë edhe anëtarë me të cilët ata kanë qëndrime të ndryshme politike.
Një nga këta persona ai e veçoi politikanin, Skënder Hyseni.
Mirëpo, sot me një qëndrim të kundërt, është deklaruar, Hyseni.
Ai, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë ai as nuk është pjesë e dialogut në Qeverinë “Kurti 2”, as nuk ka qenë i ftuar, madje as nuk do të jetë pjesë e ndonjë ekipi edhe nëse i dërgohet një ftesë e tillë.
POSTIMI I PLOTË
Sqarim:
Mbrëmë dhe sot, pata presion të madh nga mediat për t’u deklaruar rreth spekulimeve sipas të cilave unë paskam pranuar dhe qenkam “pjesë e dialogut në Qverinë Kurti-2”. Spekulim i pastër!
Duke e vlerësuar kurreshtjen legjitime të medias, këtu po jap sqarimin tim për të gjithë. Unë nuk jam pjesë e ekipit dhe nuk kam pranuar as ftesë. Për më tepër, edhe po të kishte një ftesë të tillë, pergjigja ime ështe e prerë. JO! Nuk jam dhe nuk dua të jem pjesë e asnjë ekipi, sepse nuk besoj se Zoti Kurti është i vetëdijshëm se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë me njohje përfundimtare reciproke si shtete të pavarura është sot prioriteti numër NJË i shtetit tonë.
Duke ruajtur integritetin dhe karakterin unitar kushtetues, Kosovës i duhet një marrëveshje për njohje urgjentisht. Pra! Ka shumë rëndësi çfarë flet Kurt. Ai thot se dialogu nuk është prioriteti i tij!!! Duket se preferohet zvarritja dhe status-quoja, që une besoj janë gabime strategjike në dëm të Kosovës, sepse ky është realiteti. Gjithnjë jam angazhuar për konsensus të gjërë rreth çështjeve të interesit nacional.
Besoj se partitë parlamentare duhet të gjejnë forcën dhe guximin të tejkalojnë lojrat e vogla poltike dhe të bashkohen në dialog me Serbinë. Zoti Kurti e ka mandatin dhe përgjegjësinë të nërtojë konsensusin dhe të bëj dialogun.
Për aq sa kam parë deri më tani, edhepse e ka mandatin e plotë, kam frikë se Zoti Kurti nuk ka as guxim e as kompetencë që të marr përgjegjësinë për dialogun.
Skender Hyseni– tha Hyseni në postimin e tij në”Facebook”.