Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për grabitje në Prizren. Ai dyshohet se dje rreth orës 17:30 ka hyrë me një thikë 20 cm të gjatë në një qendër tregtare në Prizren.
Nën kërcënimin e kësaj thike, ai dyshohet se ka kërkuar 5 euro lëmoshë fëmijëve të pronarit.
Njëri nga fëmijët, 15-vjeçar, ia ka dhënë të hollat të dyshuarit. Personi i cili ka qenë në zyre bashkë me fëmijët e pronarit kur ka ndodhur rasti, e ka lajmëruar sigurimin e qendrës.
Sigurimi ka arritur që ta kapë të dyshuarin, të cilit ia kanë larguar thikën.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarin e kanë shoqëruar në stacionin policor në Prizren.
“Dyshohet se personi është me probleme psikike, ku para pak ditësh kishte qenë në mjekim të detyrueshëm në institutin Forenzikës të Shëndetit Mental, por që kishte arrit të largohet nga aty”, thuhet në njoftimin e policisë.
Prokurori i Shtetit ka rekomanduar që personi i dyshuar së pari të dërgohet në repartin e psikiatrisë për kontroll.
Ndërkohë, mjekët kanë deklaruar se i dyshuari është i njohur dhe ka sjellje të pakontrollueshme.
Me vendim të prokurorit , i dyshuari është ndaluar në stacionin policor për 48 orë.
Policia ka njoftuar se rasti është duke u hetuar.