Një grup organizatash të shoqërisë civile të lidhura me Lëvizjen Vetëvendosje kanë planifikuar që nesër të protestojnë kundër Hykmete Bajramit, ministres së vetme që ka guxuar të kritikojë Albin Kurtin në mbledhjen e Qeverisë.
Organizata udhëheqëse e protestës është Studim Kritikë Veprim, e cila zyrtarisht është organ i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë protestë ajo ndihmohet nga ORCA dhe Admovere, dy organizata të tjera të shoqërisë civile.
Organizata ORCA drejtohet nga Rron Gjinovci, përkrahës i flaktë i Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa organizata Admovere është themeluar nga Shkëlzen Gashi, ish-këshilltari politik i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Protesta është thirrur me pretendimin për të kundërshtuar emërimet e fundit të Ministrisë së Arsimit në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës (UP).
Disa ditë më parë, organizata ORCA e Rron Gjinovcit i konsideroi të papranueshme emërimet e Fisnik Reçicës dhe Mentor Gecit, dy persona që figurojnë si të punësuar në kolegjet private në vend.
Por, një arsye më e fortë për të protestuar kundër Hykmete Bajramit, konsiderohet të jetë përplasja që ministrja e Arsimit pati me Albin Kurtin, kryeministrin në detyrë, gjatë mbledhjes së qeverisë javën e kaluar.
Ministrja Bajrami i reagoi kryeministrit Kurti, kur shefi i ekzekutivit tentoi të përulte punën e ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kur Kurti e quajti LDK-në “parti të regjimit të vjetër”, Hykmete Bajrami i kërkoi kryeministrit që të ketë konsideratë ndaj ministrave të LDK-së.
“Nuk mund të konsiderohemi si ministra të pa korruptuar në qoftë se sipas jush ne i takojmë një familje politike pjesë e të cilës jemi, që qenka në mbrojtje të së keqës dhe korrupsionit. Na lejoni kryeministër që të bëjmë punën dhe të japim maksimumin ashtu siç kemi bërë”, theksoi Bajrami.
Disa orë pas përfundimit të mbledhjes së mbajtur të premten, në një konferencë për shtyp, Albin Kurti i kërkoi falje ministres Bajrami dhe ministrave të tjerë të LDK-së në Qeverinë e Kosovës. U tërhoq nga fjalët ofenduese për ministrat e qeverisë në detyrë që ai udhëheq.