Prishtinë, 19 janar 2021 – Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka premtuar rritje të pensioneve për veteranët për 30 për qind gjatë takimit që ka zhvilluar sot me veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës në Mitrovicë.
Me këtë rast, ai ka folur për mungesën e shokëve, themeluesve të UÇK-së, të PDK-së dhe shtetit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.
Ai është shprehur i bindur se ata do të kthehen fitimtar nga Haga, derisa ka kërkuar mbështetjen e bashkëluftëtarëve të tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Ne jemi të sigurt që të dy do të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë, ne jemi të sigurt që të dy do ta mbrojnë kauzën e drejtë të luftës tuaj, të luftës sonë për liri. Prej neve si bashkudhëtarë të tyre, si shokë të tyre, si bashkëpunëtorë të tyre, si bashkëpartiakë të tyre kërkohet që ta bëjmë maksimumin në këto zgjedhje, që sa më e fortë që do të jetë PDK aq më e fortë do të jetë Kosova dhe po aq më të fortë do të jenë edhe shokët tanë në gjykatë“, ka theksuar Hoxhaj.
Sipas tij, këto zgjedhje nuk janë zgjedhje si i kemi pasur zgjedhjet e kaluara, mbi të gjitha janë zgjedhje për dinjitet, janë zgjedhje për dinjitetin edhe të UÇK-së edhe të PDK-së edhe të Kosovës.
“Nuk është e lehtë me pa ditën e njëjtë kur kryetari i partisë ose presidenti i Republikës ngritet në këmbë para një gjykate e thotë emrin dhe mbiemrin, dhe ditën e njëjtë në Serbi, në Rashkë, në 14 metra thellësi gjenden trupa të pajetë të shqiptarëve, të cilët janë vrarë në Kosovë dhe krimi i bërë në Kosovë fshihet në thellësi të tokës serbe”, ka shtuar ai.
Hoxhaj para veteranëve ka shpalosur edhe planin e qeverisjes, ku prioritet kanë zhvillimin ekonomik të vendit, shëndetësinë, arsimin si dhe rritjen e pensioneve për veteranët për 30 për qind.
“Prioritet mbi prioritetet e kemi pozitën tuaj, Bedriu ka biseduar gjatë me ekspertët më të mirë të ekonomisë, ne do t’i rrisim pensionet e veteranëve deri në 30 për qind. Jemi shumë të vendosur që të ketë rritje të pensioneve të veteranëve deri në 30 për qind, që mos të ketë ndërprerje të pensioneve nëse dikush ka kontratë pune diku tjetër dhe që për familjet e dëshmorëve nëse një familje e ka një dëshmor ose dy dëshmorë, duhet të marrë jo vetëm një pension, po duhet t’i marrë sa dëshmorë ka”, ka theksuar Hoxhaj në Mitrovicë.
Ai ka shtuar se nuk ka parti tjetër në vend që mund të marrë vendime të mëdha, siç është Partia Demokratike e Kosovës.
“Kur ka menduar dikush në Mitrovicë që në 2020 fillon viti sa ka qenë një qeveri Kurti, duke marrë teste nga Serbia, dhe sa ka qenë një qeveri Hoti, duke marrë vaksina prej Serbisë. Ajo nuk ka qenë vetëm shkelje e sovranitetit dhe integritetit territorial, por ka qenë shkelje e integritetit personal të çdo qytetari të Mitrovicës dhe të çdo qytetari të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërkaq, nënkryetari i PDK-së Bedri Hamza, tha se në zgjedhjet e 14 shkurtit hyjnë për të fituar pasi që tha se e kanë kandidatin dhe programin më të mirë.
“Jemi bashkë me juve më meritorët që ne sot kemi liri, pavarësi dhe shtetin e Kosovës. Jemi mirënjohës përjetësisht dhe mbi bazën e kontributit tuaj sot i gëzojmë të gjitha këto që i kemi. Hyjmë në garë për fitore, besojmë në fitore dhe këtë besim e bazojmë në kandidatin më të përgatitur, njëri akademik, profesor i respektuar që i kalon përmasat e Kosovës, i respektuar gjithandej në botë. Njeri me përvojë politike, i cili në të gjitha proceset politike të rëndësishme për vendin me pavarësi, me shtetndërtim ka qenë pjesë dhe bartës i atyre proceseve. E kemi programin më të mirë, më real, më të duhur dhe z.Hoxhaj e ka ekipin që garanton zbatimin e këtij programi”, ka shtuar ai.
Në emër te veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve foli Bahtir Maxhuni, i cili tha se janë mbledhur edhe një herë për të dëshmuar mbështetjen që kanë për PDK-në.
“Jemi mbledhur këtu për të dëshmuar edhe një herë se ne ushtarët e UÇK-së jemi djepi dhe shtylla kryesore e mbështetjes së PDK-së. Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar për një fitore bindëse në raport me të tjerët, të jemi zëri i së vërtetës dhe të jemi ata që do t’ua dërgojmë buzëqeshjen në fitore themeluesve të UÇK-së, atje ku janë padrejtësisht dhe të cilët do të dalin faqebardhë si çdo herë që kanë dalë në beteja të ndryshme për shtetndërtimin e Kosovës, të cilët janë Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi”, ka thënë ai.