Kreu në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas takimit që ka zhvilluar me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se ka kërkuar nga kjo e fundit që 31 tetori të jetë date e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Ai tha se kjo datë do të mundësonte që të përgatitet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe partitë politike.
“Institucionet që merren me zgjedhjet në KQZ duhet të kenë mjaft kohë që procesi të jetë i përgatitur mirë, kemi kërkuar si datë 31 tetorin e këtij viti dhe mendojmë që është brenda afatit kushtetues dhe do të lejonte që komunat të kenë mjaft kohë të përgatiten për zgjedhje, mbi të gjitha KQZ-ja”, tha Hoxhaj, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se PDK si asnjë subjekt tjetër është i përgatitur shumë mirë për zgjedhjet lokale.
Hoxhaj u shpre i bindur se kandidati i tyre për Prizrenin, Shaqir Totaj do të fitojë në zgjedhjet locale, pasi tha se “Myten (Mytaher Haskuka) e ka mbytë korrupsioni”.
I pyetur nëse Uran Ismaili do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, Hoxhaj tha nuk ka një vendim ende, dhe i mbetet Degë së Prishtinës të jape kandidatin e më pas të vendoset.
Hoxhaj më tej tha se në takimin me presidenten Osmani kanë kërkuar që PDK-së t’i takojë edhe një anëtar i KQZ-së.