Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka foluar para mediave pas formimit të Qeverisë Kurti 2,
Hoxhaj është shprehur se nuk do të merret me çështjen e kushtetutshmërisë së kreut të VV-së, Albin Kurti, si kryeministër, teksa shtoi edhe disa kritika për të.
“Nuk dërgojmë asgjë në Gjykatë që ta kontestojë mandatin e z. Kurti, i cili nuk ka pasur drejtë të kandidoj për deputet, e i cili është zgjedhur sot kryeministër. Nuk dua ta përdor Gjykatën Kushtetuese si instrument për ta bllokuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Hoxhaj ka përmendur edhe emrin e Murat Jasharit si kandidat për president të Kosovës, për të cilin tha se është një kandidat briliant, por që PDK nuk ka ndonjë propozim për këtë post.
“Mënyra se si u zgjodh kjo qeveri, është një fazë e re e jo-stabilitetit, e pa-qartësisë, e mjegullës. Kjo ndërtesë (Kuvendi i Kosovës) ka qenë objekt i dhunës, i përplasjes, ia përmenda z. Kurtit rastin e Joschka Fischer, i cili ka kërkuar falje për dhunën e ushtruar ndaj policisë gjermane, në atë se çfarë ka bërë më herët. Unë mendoj se një kryeministër do duhej ta pajton popullin”, është shprehur tutje Hoxhaj.
Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, është konstituuar legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin. Ndërkaq, me 69 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim, si Kryetar Kuvendi u përzgjodh Glauk Konjufca.