Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur konferencë për media ku ka kritikuar vendimin e qeverisë së Kosovës për të proceduar në Kuvend Projektligjin për Zgjedhjet.
Hoxhaj ka thënë se në kohën kur vendi po përballet me një prej krizave më të mëdha që nga paslufta, me pandeminë COVID 19, si pasojë e keq menaxhimit të së cilës, në Kosovë gjatë një viti kanë vdekur rreth 2 mijë qytetarë dhe kanë humbur mbi 50 mijë vende pune, Albin Kurti i verbëruar nga pushteti dhe i vetëvaksinuar, po kërcënon e po shantazhon me zgjedhje të reja.
Ai ka theksuar se Albin Kurtit i intereson kriza, vazhdimi i katastrofës shëndetësore e ekonomike nga pandemia, por nuk i intereson puna dhe mandati që ka marrë nga qytetarët për të qeverisur. “Albin Kurti është përgjegjës nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Nuk mund të bëhet reformë zgjedhore vetëm me një ligj. Ligji për zgjedhje nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohet pjesë pjesë, por duhet të jetë pjesë e një pakoje të reformës zgjedhore e cila bëhet në koordinim të plotë me shoqërinë civile, OSBE dhe Komisionin e Venecias”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës në emër të qytetarëve nuk pranojmë t’i nënshtrohet vullnetit të askujt që në emër të çkapjes së shtetit ta ngulfasë demokracinë e vendit.
“Një proces i tillë ku Ligji për Zgjedhje përmbyllet për 12 orë emrin e ka ngulfatje e demokracisë, emrin e ka fund i demokracisë dhe ne si parti politike kemi qenë dhe do të mbesim front për ta mbrojtur dhe ruajtur demokracinë e re në Kosovë e cila është ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë. Qytetarët duhet sot ta kuptojnë që është Albin Kurti ai që ka frikë nga pushteti, që nuk dëshiron të marrë përgjegjësi, por dëshiron ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme me një situatë të njëjtë, që para një viti e ka pasur emrin Agim Veliu”, ka thënë Hoxhaj.