Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se nuk ka arsye që Qeveria të mos ecë përpara me draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Hovenier këtu theksoi se kryeministri Albin Kurti ishte i gatshëm ta pranonte atë propozim para dy javësh, ndërsa foli edhe për afatet.
“Sa i përket afateve, nëse e lexoni deklaratën nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës, kryeministrja e Italisë, ata përdorin gjuhë si ‘urgjent’, ‘sa më shpejt që është e mundur’ dhe gjëra të tilla. Kështu që, ekziston një urgjencë dhe një dëshirë për t’i lëvizur gjërat shpejt dhe kjo është pjesë e bisedimeve me qeverinë tash. Nuk ka arsye që të mos lëvizin gjërat shpejt”, tha Hovenier.
Tash, ambasadori amerikan tha se “s’ka arsye që Qeveria të mos avancojë me draft-statutin”.
“Kryeministri pranoi gatishmërinë e tij për të pranuar në tërësi atë vetëm dy javë më parë. Ne po ashtu po punojmë që të shohim se ajo bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë”, tha Hovenier.
Hovenier tha se kjo “ka të bëjë me arritjen e zbatimit e plotë të të gjitha obligimeve të arritura nga Kosova dhe Serbia, si marrëveshjen bazë, ashtu edhe atë të Ohrit”.
“Këtë duam ta shohim”, theksoi Hovenier