Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të premten në përmbyllje të fushatës zgjedhore se vetëm me qeverisjen e Lidhje Demokratike vazhdojnë reformat në ekonomi që sjellim zhvillim, punësim dhe mirëqenie.
“Vetëm në programin qeverisës të Lidhjes Demokratike parashihet, me veprime konkrete, politikat që çojnë në rritjen e pensioneve dhe ndihmave sociale. Ne jemi zotuar të heqim kufizimin prej 15 vitesh për pensionet kontribut-dhënëse. Ne jemi zotuar se nuk do të ketë ndihmë sociale apo pension nën 300 euro. Ne do të institucionalizojmë kujdesin për personat me nevoja të veçanta. Qeveria e re do të financojë 15% të projekteve të organizatave joqeveritare”, tha Hoti.
Ai i ka porositur qytetarët “mos u mashtroni nga premtimet boshe të kundërshtarëve tanë, atyre që kundërshtonin çdo gjë, atyre që kundërshtuan çdo hap në rrugën e gjatë të shtet-ndërtimit”.
“Ato premtime nuk bazohen në asnjë program. Ju e keni vërtetuar vetë se vetëm ne kemi prezantuar program të plotë qeverisës në këto zgjedhje. Ju ftoj të krahasoni qeverisjen tonë me qeverisjet e kaluara. Ata merreshin me teori konspirative për harta e thika në Shtëpinë e Bardhë. Ne komunikonim drejtpërdrejt me miqtë tanë perëndimore”, tha kryeministri Hoti.
Hoti ka shtuar se oponentët politik nuk lanë gjë pa thënë për Administratën amerikane. “Ne morëm ftesë për të nënshkruar marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë, që është kontratë me partnerin tonë strategjik, me aleatin tonë më të fuqishëm. Me veprimet e tyre, u vendosën sanksione financiare ndaj Kosovës.Ne nënshkruam marrëveshje për projekte madhore. Ata merrnin kërcënime për tërheqje të trupave amerikane nga Kosova. Ne u ftuam të bëhemi bashkë me ushtrinë tonë në misione paqeruajtëse”, shoi Hoti.
Sipas kryeministrit, me qeverisjen e LDK-së, Kosova u kthye në krye të agjendës amerikane për Ballkanin.
“Letra e Presidentit Biden, e rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës, si shtet sovran. Kjo nuk është arrihet me retorikë boshe dhe letra të mbushur me parulla ndaj miqve tanë perëndimor, siç bënin këta. Kjo arrihet me veprime vizionare, me veprime konkrete shtet formuese. Kjo letër hodhi poshtë teoritë, që ishin dhe mbeten teori të marra, se në Shtëpinë e Bardhë po planifikohej copëtimi i Kosovës”, shoi ai.
Hoti i ka ftuar gjithë qytetarët, të të gjitha moshave që ditën e diele të dalin në zgjedhje, të votojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës me numrin 132.