Kryeministri i vendit Avdullah Hoti gjatë ditës së sotme ka vizituar Komunën e Deçanit, ku së bashku me të parin e kësaj komune Bashkim Ramosaj vizituan Manastirin e Deçanit, ku u pritën nga Igumeni Sava Janjiq.
Në këtë takim, Hoti ka zbuluar se u diskutua për çështje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Deçanit dhe në veçanti për çështjen e rrugës së Manastirit.
“Ne kemi kulturë institucionale, edhe si komunë, edhe si qeveri për të respektuar ligjet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për të respektuar vendimet që i nxjerrin institucionet tona vendore. Biseduam që në javët e ardhshme të gjejnë një zgjidhje që është e pranueshme për të gjithë duke e mbrojtur kështu interesat e qytetarëve, por edhe interesat e Manastirit të Deçanit si një vend i veçantë i trashëgimisë sonë kulturore e botërore”, ka shkruar Hoti në postimin e tij në Facebook.