Avdullah Hoti e ka komentuar vizitën e djeshme të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit në Mitrovicën e Veriut, pasi ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti në 24 vjetorin e rënies.
Kryeministri në detyrë tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ushtruesja e detyrës së presidentes nuk duhet ta shfrytëzojnë vizitën në veri për fushatë, që të tregojnë “diçka që nuk është”.
“Unë besoj që disa kauza, disa çështje duhet t’i lëmë jashtë fushatës zgjedhore. Ai është një territor i Kosovës pa asnjë dyshim dhe nuk kontestohet në asnjë formë. Secili ka të drejtë të lëvizë në katër anët e Kosovës, por nuk duhet të përdoret në asnjë moment për fushatë dhe për të tregu gjëra që nuk qëndrojnë dhe nuk ekzistojnë”, tha Hoti.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani vizituan dje minierën “Trepça” në veri, ndërsa u raportua se kjo vizitë u ndërpre pas një reagimi i serbëve lokalë.