Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti paralajmëron se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh.
“Gjendja është vërtetë e rëndë, tepër e rëndë. Numri i rasteve të reja është tepër i lartë edhe jemi gati në limitet e kapaciteteve që kemi në spitalet tona. Jemi të detyruar të marrim masa që janë bukur drastike. I kemi ndërmarrë disa masa deri më tash, disa masa pak më strikte vikendin e kaluar dhe tash jemi duke i përgatitur masat të cilat besoj për dy ditë hyjnë në fuqi sepse jemi duke i kryer disa konsultime të nevojshme brenda organizatave të ndryshme, me bizneset, me odat ekonomike, me grupe të ndryshme që i prekin kryesisht këto masa, por jemi të detyruar t’i ndërmarrim masa”.
“Jemi duke i ndjekur protokollet që i kanë zbatuar edhe vendet e tjera, por ne jemi në një situatë më të vështirë për shkak të kapaciteteve të limituara në spitale, për të akomoduar të gjithë ata që kanë nevojë për shërbim spitalor”.
“Duhet thënë që për vite të tëra nuk ka pasur rritje të kapaciteteve në spitale dhe pavarësisht përgatitjeve që i kemi bërë me rritje të kapaciteteve për testim ta zëmë, ose me përfshirjen e spitaleve nëpër regjione dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare, edhe me rritjen e të punësuarve në institucionet shëndetësore, prapë është e pamundur që të përballojmë situatën. Prandaj, jemi të detyruar të shkojmë drejt masave ekstreme, përfshirë edhe mbylljen totale”.
Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por se primar është “ruajtja e shëndetit publik”.
“Tash, sigurisht prioritet është jeta e qytetarëve, shëndeti publik. Po gjithashtu, unë besoj që po tregojmë edhe kujdesin e duhur edhe për aktivitetin biznesor, në mënyrë që të kenë mundësi bizneset, qytetarët, njerëzit të mbijetojnë, të sigurojnë të ardhurat e tyre për familje dhe mbijetesë, por mbi të gjitha është shëndeti. Ne po mundohemi të konsultohemi vazhdimisht për masa që i ndërmarrim. Në të njëjtën kohë, me aq sa kemi kapacitete, t’ju ndihmojmë bizneseve gjatë periudhe të vështirë dhe ju kemi ndihmuar jo pak”.
Në këtë intervistë, Hoti po ashtu kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.
“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur ketë të dytën”, porositi ai.
Ai shtoi se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuara duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera./ REL