Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të mërkurën në hapje të fushatës zgjedhore, se LDK është parti që mbron shtetin dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, pasi këtë kulturë politike e ka të trashëguar nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Presidenti Rugova.
“Kështu vepruam edhe në pranverën e vitit të kaluar, kur e ndaluam një qeverisje që nisi të dëmtonte shtetin, dhe morëm përgjegjësinë për të qeverisur në momentet më të vështira në 20 vitet e fundit. Ne ishim të vendosur që të mos lejojmë cenimin e miqësisë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne nuk mund të lejonim që nga zyrat e Qeverisë së Kosovës, Shtëpia e Bardhë, që është e shenjtë për shqiptarët e Kosovës, të quhej shtëpi të verdhë apo e kuqe. Në atë kohë, ne kishim mundësi që, thjeshtë të tërhiqeshim nga përgjegjësia institucionale që kishim, të qëndronim në opozitë siç bënë të tjerët. Por, ne nuk mund të lejonim dëmtimin e shtetit të Kosovës vetëm sa për të mbrojtur interesat partiake”, tha Hoti.
Kandidati i LDK-së foli edhe për të arriturat që janë shënuar gjatë 8 muajve të tij në krye të qeverisë. Ai përmendi menaxhimin me sukses të pandemisë, miratimin e rimëkëmbjes ekonomike që ka ndikuar në përgjysmimin e efektit negativ të pandemisë në ekonomi.
“Me një qasje normale të qeverisjes, ëndrra jonë 30 vjeçare është bërë realitet – vajzat dhe djemtë e ushtrisë së Kosovës janë bërë pjesë e ushtrisë amerikane në misione paqësore. Pas disa jave në zyrë, unë mora ftesë nga Shtëpia e Bardhë, ku nënshkrova marrëveshjen historike, që e kthen shtetin tonë në nyje gjeo-politike. E falënderoj Sekretarin e ri amerikan të Shtetit, Blinken, dhe administratën e re të Presidentit Biden, të cilët janë zotuar se do ta vazhdojnë jetësimin e plotë të kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje na siguroi njohjen nga Izraeli, duke e thyer bllokadën trevjeçare të mungesës së njohjeve. Ata që nuk lanë gjë pa thënë kundër kësaj marrëveshje dhe kundër meje, sot heshtin. Unë i ftoj që së paku të falënderojnë popullin Izraelit”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.
Duke shpalosur pikat kryesore të programit të LDK-së, Hoti theksoi se ka plane konkrete investimi prej 1 miliard euro vetëm nga Marrëveshja e Uashingtonit.
“Në qeverisjen 4 vjeçare te LDK-se, ne kemi planin e gatshëm për 5 miliardë investime publike, të cilat do te krijojnë vende të reja pune, ndërsa përmes politikave konkrete, qeverisja jone do te nxisë edhe 7 miliardë euro investime private”, tha Hoti.
“Shëndeti i qytetarëve është primar për ne, prandaj e kemi vendosur si pikë të parë të programit menaxhimin e pandemisë. Sa i përket zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale, ne do të lehtësojmë qasjen në financa, do të forcojmë fondin për garantimin e kredive, do t’i subvencionojmë normat e interesit dhe do të ndajmë grante për gratë dhe të rinjtë në biznes. Qeverisja jonë do ta garantoj pagën minimale 300 euro. Do të heqim kufizimin për 15 vjet për pensionet kontributdhënëse. Asistenca sociale do të lidhet me koston e jetesës dhe rritet për 30%”, tha Hoti.
Ai i ftoi qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë numrin 132, pasi vetëm në këtë mënyrë, Kosova ruan kursin euro-atlantik dhe udhëhiqet me përkushtim e profesionalizëm.
Zyra për Informim e LDK-së