Kryeministri Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe u.d. të drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi, kanë vizituar Klinikën Infektive.
Pas takimit do të ketë edhe konferencë për medie.
Kjo vizitë vjen pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus ditëve të fundit.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë testuar gjithsej 1 519 mostra prej të cilëve rezultojnë 733 raste pozitive, kurse janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Kryeministri Hoti, ka prezantuar dje masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Sipas masave që hyjnë në fuqi nga e premtja, në Prishtinë dhe 6 komuna të tjera të Kosovës, pas orës 19:00 do të ketë “orë policore”.
Kurse, aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën “zonë” të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna.
Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.Komunat në “zonën e kuqe” janë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica e Jugut, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj.
Këto komuna janë cilësuar me rrezik të lartë të infeksionit pasi kanë mbi 150 persona të infektuar në 100 000 banorë brenda javës.
“Jemi duke kaluar në situatën më të vështirë në 20 vjetët e fundit. Kjo situatë krahasohet vetëm me luftën. Kërkojmë mirëkuptimin e secilit. Nuk mund ta mbyllin shtetin komplet pasi do të ishte fatale, por masat do të na çojnë për një javë në shifra më të mira”, ka thënë dje Hoti.