Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se Marrëveshja e Washingtonit, e nënshkruar nga ai më 4 shtator të 2020-ës, është marrëveshja politike me e rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Andaj, qasja e Qeverisë Kurti ndaj kësaj marrëveshjeje, sipas Hotit, është duke i dëmtuar raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në Qeverinë e Kosovës u dorëzua studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit dhe ata tash kur pyeten thonë se nuk e kanë lexuar dhe kjo qasje e tyre është lëndim i raporteve me partnerin kryesor që e kemi, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Marrëveshja e Washingtonit është marrëveshja më e rëndësishme që ka nënshkruar shteti i Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë. Ata e kanë kritikuar për të ndërtuar kauza të rrejshme dhe tash po del që janë vërtetë kauza të rrejshme”.
Sipas Hotit, me këtë qasje, qeveria aktuale do ta dëmtojë veten dhe vetë Kosovën.
“Doli raporti për Liqenin e Ujmanit dhe aty vendosen qartë parimet teknike për menaxhimin e ujërave ndërkombëtare, që janë në territorin e dy vendeve dhe mua më kanë akuzuar për futjen e kësaj pike në marrëveshje, sepse e cenon sovranitetin e Kosovës. Më thoni ju mua tani a e cenon ky studim sovranitetin e Kosovës? pra e shihni që është mashtrim tipik? Prandaj me këtë qasje këta do ta izolojnë veten, por edhe vendin”, tha Hoti në Klan Kosova.
Tutje Hoti tha se moszbatimi i Marrëveshjes së Washingtonit do të ishte një humbje e madhe për Kosovën në aspektin ekonomik, por edhe atë të interesave strategjike të vendit.
“Moszbatimi i kësaj marrëveshje është humbje e madhe, sepse për 3 ose 4 vite mund të sjellë investime që shkojnë në rreth 1 miliard dollarë amerikanë në Kosovë ,në forma të ndryshme, investime publike dhe private. Por, përtej kësaj, kjo marrëveshje ka rëndësi strategjike sepse nëse e studioni me kujdes këtë marrëveshje, ka elemente që e lidhin komplet regjionin me Amerikën, me perëndimin, me furnizimin e gaz, me energji, me 5G edhe çështje të tjera. Pra, është e rëndësisë strategjike për ruajtjen e influencës perëndimore dhe për të ndaluar influencën e Rusisë dhe Kinës”.
Sipas ish- kryeministrit Hoti, kushdo që e kundërshton marrëveshjen e Washingtonit është duke i promovuar interesat ruse e kineze në Kosovë.
“Këtë po e them për herë të parë; ai që e kundërshton marrëveshjen e Washingtonit në Kosovë, ose në cilindo prej vendeve të rajonit, sepse në Serbi e kundërshtojnë Marrëveshjen e Washingtonit sepse e dinë çfarë është kjo marrëveshje – ai që e kundërshton, me vetëdije ose pa vetëdije, promovon interesa ruse dhe kineze në Kosovë.”
“Nuk ka mundësi pasi ajo qeveri në Kosovë që mendon se mund të tallet me partneritetin me ShBA nuk është jetë gjatë, pasi do të izolohet nga bashkëpunimi me ndërkombëtarët.”
“Imagjinoni si mund të funksionojë një qeveri që nuk ka komunikim me partnerin tonë kryesor, siç është ShBA-ja. Si mund të funksionojë kur duhet të marrë kredi të buta nga Banka Botërore. ShBA-ja dha disa shtete tjera janë disa busulla që na mbajnë në rrugë të duhur. Këta janë duke shkuar në atë rrugë dhe më vjen keq që janë duke shkuar në rrugë të gabuar. Si opozitë do t’ju tregojmë rrugën dhe do të jemi zë i fuqishëm i opozitarizmit.”
“Nuk e kam dertin politik të këtyre personave, por kam hallin se ku do të shkojë vendi pas kësaj. Kemi bashkëpunuar sa kemi qenë në opozitë dhe nuk kemi nderuar kauza të përbashkëta me ta pasi ata janë parti e majtë dhe mënyra se si sillën nuk është e njëjtë me ne pasi ne jemi të ndryshëm nga ta”.