Holanda ka ndaluar përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 për njerëzit e moshës nën 60 vjeç.
Në një deklaratë të dhënë gjatë ditës së djeshme Ministria e Shëndetësisë në Holandë tha se po vepronte në bazë të një raporti të ri nga organi i pavarur këshillimor, Lareb, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.
Raporti kishte të bënte me pesë gra në vend, të moshës midis 25 dhe 65 vjeç, të cilat kishin pësuar mpiksje gjaku pasi morën të dozën e vaksinës.
“Raporte të ngjashme kanë ardhur edhe nga vendet e tjera të BE,” shtuan autoritetet Hollandeze.
Mjekët janë këshilluar të anulojnë të gjitha takimet me personat nën 60 vjeç deri në një njoftim tjetër.
Kujtojmë se rreth 400 mijë njerëz në Holandë kanë marrë vaksinën AstraZeneca deri më tani, nga rreth 2.3 milionë doza të vaksinave të administruara deri tani në të gjithë vendin.
Ndalimi vjen dy javë pasi Agjencia Evropiane e Barnave kishte përcaktuar se vaksina AstraZeneca ishte “e sigurt dhe efektive”, por tha se nuk mund të përjashtonte përfundimisht rrezikun e rritur të mpiksjes së gjakut si një efekt anësor i vaksinës.