Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka takuar sot task-forcën për përgatitjen e fillimit të vitit të ri shkollor 2020/21, duke shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe angazhimin e personelit të drejtorisë komunale, të personelit të shkollës, këshillin e prindërve dhe asistencën mjekësore.
“Komuna e Gjilanit duke u bazuar në udhëzimin e qeverisë, është duke u përgatitur për tri opsione për fillim të vitit të ri shkollor. Në veçanti jemi duke punuar në aspektin teknik, dezinfektues dhe sanitar për përgatitjen e procesit. Njëkohësisht, një përkujdesje dhe përgatitje është duke i kushtuar pjesëmarrjes së nxënësve në shkollë, masave parandaluese, distancës dhe mjeteve mbrojtëse që fëmijët duhet të përdorin për parandalim të infeksionit. Qëllimi është që fëmijët dhe mësimdhënësit të komunikojnë drejtpërdrejtë në shkollë, por gjithashtu të kombinohet edhe me mësimin online, nëse është e nevojshme, si pjesë mbështetëse”, deklaroi Haziri.
Haziri mes tjerash tha se kujdes i veçantë do t’u kushtohet fëmijëve në institucionet parashkollore, çerdheve, fëmijëve me nevoja të veçanta, njofton Klan Kosova
“Gjilani ka rekomanduar që mësimi të mbahet direkt në shkollë dhe jo në opsionin e dytë apo të tretë. Kjo për shkak se nuk kemi kapacitete, nuk ka mundësi dhe nuk jemi të përgatitur të mbajmë mësimin nga distancë dhe përmes teknologjisë. Në anën tjetër, gjendja sociale e prindërve dhe e gjithë komunitetit tonë është e njejtë dhe nuk ka ndryshuar, përkundrazi nga marsi i këtij viti, ka degraduar si pasojë e impaktit ekonomik gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë ai.
Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka thënë se kanë koordinuar të gjitha institucionet edukativo-arsimore, dhe rekomandohet që nxënësit të kthehen në shkolla, derisa lajmi i mirë është se me rekomandim të kryetarit Haziri, shkollat do të kenë edhe ekipet ambulantive të stafit mjekësor.
“Rekomandimi i Gjilanit është që nxënësit të kthehen në shkolla, sepse në bazë të vlerësimit dhe ekspertëve që monitorojnë procesin e mësimit, klasa e parë dhe e dytë, e pesta dhe e gjashta, klasa e dhjetë dhe shkollat profesionale, janë më të ndjeshme dhe duhet organizim i mësimit në shkollë, për çka edhe jemi fokusuar direkt në këtë drejtim”, tha Gagica.
Modaliteti i Gjilanit nga ky takim ka dalë me rekomandimin që i ofrohet mundësia çdo nxënësit të jetë në shkollë, me formulë të zbatueshme, me kujdestari dhe kujdes ambulantor të Qendrës së Mjekësisë Familjare, duke i lidhur mjekun, mësimdhënësin dhe prindërit, kjo për edukimin e fëmijëve në mbajtje të maskave, masave mbrojtëse dhe ruajtjen e distancës.