Nënkryetari i Parë LDK’së, Lutfi Haziri, ka ‘goditur’ tërthorazi kreun e ekzekutivit, Albin Kurti, pas deklaratave të këtij të fundit kundër deklaratës së ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, i cili tha se “Kosova ka detyrim që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se “historia nuk ka nisur në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit”.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, nënkryetari i LDK’së ka ironizuar me Kurtin, duke thënë se ‘Shtëpia e Bardhë mbetet e Badhë, as e kuqe as e verdhë’
“Shtëpia e Bardhë mbetet e Bardhë, as kuqe e as e gjelbër. Marrëveshjet me SHBA-të mbeten të shenjta”, ka shkruar Haziri.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se Kosova ka detyrim që ta foromojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai tha se historia nuk ka nisur në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit.
“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, ka deklaruar Kosnett.
Pas kësaj deklarate, pasoi kundërshtimi i Kurtit, i cili tha se Kosova e ka një asociacion të komunave dhe ky është funksional, derisa ka thënë se Kosova s’mund të ketë asociacion mbi baza etnike.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Marrëveshja e arritur në Ëashington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend.
E ditë më parë, presidenti i ShBA’ve, Joe Biden, ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv, sipas të cilit të gjithë ata që i kundërshtojnë marrëveshjet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, Amerika do t’i shpallë përsona ‘non grata’.
“Unë Joe Biden përmes këtij urdhëri zgjeroj fushën e emergjencës kombëtare të deklaruar në Urdhrin Ekzekutiv 13219 të 26 Qershorit 2001 (Bllokimi i Pronës së Personave që Kërcënojnë Përpjekjet Ndërkombëtare të Stabilizimit në Ballkanin Perëndimor) , ndryshuar me Urdhrin Ekzekutiv 13304 të 28 majit 2003 (Përfundimi i Emergjencave në lidhje me Jugosllavinë dhe Modifikimi i Urdhrit Ekzekutiv 13219 të 26 Qershorit 2001), duke gjetur se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe Republika e Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas prishjes së ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Perëndimin Ballkani, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim i pazakontë dhe i jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në komunikatën e Administratës Amerikane, transmeton Mediafokus.info.
Ndryshe, sipas politologëve, urdhri i Bidenit do ta godas direkt kryeministrin, Albin Kurti, i cili tashmë është deklaruar kundër disa marrëveshjeve ndërkombëtare që ka nënshkruar Kosova.