Deputetja e zgjedhur e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka kritikuar ministrin e Mirëqenies Sociale për ndaljen e dhënies së ndihmës sociale për ata që punuan në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Me ndihmën sociale në Kosovë, familjet në nevojë nuk mund të kryejnë as nevojat mujore që i kanë. Çfarë ka bërë Ministria! Personave që marrin
ndihmë sociale, e që kanë punuar në ditën e zgjedhjeve, ia kanë ndalur ndihmën sociale!!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, transmeton Gazeta Express.
Ajo thotë se pushteti po bën padrejtësi ndaj atyre për të cilët, sipas Haxhiut, shteti nuk ka bërë asgjë.
“Kjo është e papranueshme. Çfarë shteti e pushteti, që varfëron e bën padrejtësi pikërisht me ata që nuk e kanë ndjerë kurrë dorën e shtetit ashtu siç duhet.
Çfarë turpi e çfarë mjerimi!”, thuhet në postimin e deputetes së zgjedhur të VV’së.