Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, ka folur për gjendjen me pandeminë me të cilën po përballet Kosova.
Haxhiu në emisionin Info Magazine në Klan Kosova tha se ka probleme serioze me menaxhimin e situatës me COVID-19, kjo sipas tij vërehet edhe me rritjen e numrit të të infektuarve edhe numrin e të vdekurve si pasojë e infektimit me koronavirus.
Ai shpjegoi edhe për atë se çka është diskutuar sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor për menaxhimin e pandemisë.
Deputeti i PDK-së tha se temë e diskutimit përveç menaxhimit u diskutua edhe për pranimin e donacionit me teste nga ana e Qeverisë Kurti.
Sipas tij Serbia me këtë rast është paraqitur si humane dhe Vuçiq si lider human.
“Diskutimet në Komision kanë qenë për keqpërdorimet në menaxhimin e pandemisë. Komisioni ështe iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës prej rastit të vdekjes së të riut nga Gjilani Agon Musliu. Pastaj edhe për keqpërdorime të tjera dhe blerjet abuzive”.
“Me ato 1 mijë teste qeveria Kurti i ka bërë një nder të madh Serbisë sepse me anë të këtyre Serbia është paraqitur si humane dhe Vuçiq si lider human. Këto teste nuk kishin leje importi por edhe autorizim të marketingut”.
“Ne blejmë edhe produkte tjera nga ana e Serbisë, por të marrim donacione pa pasur leje importe dhe autorizim marketingut. Pse është dashur që të bëhet kjo dhe që Serbia që të paraqitet si humane ?”.
Haxhiu theksoi se Kurti ka bërë një kapërcim të madh në politikë nga rrotullimi i Plazma Keksave në pranimin e donacioneve.
“Ne kemi informatë se IKSHPK nuk ka pasur kërkesë për këto 1 mijë teste por është bërë nga Ministria e Shëndetësisë por sigurisht edhe me autorizim të kryeministrit Kurti”.
“Nuk krahasohet blerja e oksigjenit me donacionin. Psh. Rrotullimi i Plazma Keksave dhe marrja e donacionit nga Serbia është kapërcim i madh në politikë nga ana e Kurtit”.